Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, ka folur për raportin e Amnesty International lidhur me publikimin e të dhënave të qytetarëve shqiptarë gjatë zgjedhjeve të 25 prillit. Vasili tha se pa asnjë diskutim 25 prilli është momenti më i vështirë dhe i rrezikshëm i pluarlizmit shqiptar.
Për nënkryetarin e LSI, ekspozimi i të dhënave të qytetarëve ndaj botës së krimit të organizuar duhet të ishte në fokus të drejtësisë.
“Moment që shënoi rrënimin e institucionit të votës që është themeli i republikës tonë kushtetuese. Rrënimi i këtij institucioni do të thotë të rrënohen të gjithë ekuilibrat dhe institucionet në vend.
Një pluralizëm në dukje, por një diktaturë pasi një parti përmes parave dhe formave të paligjshme, mafioze dhe të dënueshme rrëmben votat. Kambanë e fortë alarmi për drejtësinë shqiptare.”-tha Vasili.
Petrit Vasili tha më tej se një Komision Hetimor për të hetuar zgjedhjet, komision i filluar nga ish-kryetari i PD, Lulzim Basha u degradua dhe u la në mes.
“Problemi shumë i rëndë i futjes së duarve mafioze në zgjedhje nëpërmjet futjes tek të dhënat personale të qytetarëve mbetet një çështje e hapur që duhet çuar deri në fund. Pandëshkueshmëria edhe në afera, dokumentohen hapur, janë rrëmbyer paratë e shqiptarëve në mënyrë kriminale me inceneratorët. Skandali me energjinë elektrike në rendin e 1 miliardë euro.”-tha Vasili.




