Vdekja e 35-vjeçarit që e zuri korrenti/ Sherr e dhunë në ambientet e spitalit të Vlorës, familjarët e viktimës grushte e shqelma policit pas bllokimit të derës së ambulancës

0
107

Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në ambientet e spitalit të Vlorës mesditën e 19 qershorit, ku familjarët e 35-vjeçarit që humbi jetën nga korrenti kanë dhunuar një polic.

I riu Arbër Ferati ra në kontakt me rrymën elektrike të tensionit të lartë teksa po punonte me autokombajnë.

Ai është transportuar me autoambulancë në spitalin e Vlorës. Por në momentin që familjarët kanë tentuar të hapin derën e ambulancës kur mbërriti në spital, ajo është bllokuar.

Familjarët e viktimës kanë përdorur forcën për të hapur derën e mjetit ku ndodhej 35-vjeçari, por për këtë iu është dashur disa minuta. Ata kanë shkatërruar derën e ambulancës dhe më pas kanë nxjerrë 35-vjeçarin që është dërguar me barelë brenda ambienteve të spitalit.

Pas kësaj, ata janë irrituar duke sulmuar një prej policëve në spitalin e Vlorës. Bluza të bardha dhe efektivë të tjerë të pranishëm kanë ndërhyrë për t’i ndarë, ndërsa një prej të afërmve të 35-vjeçarit është shoqëruar në komisariat.

Disa persona të përfshirë në sherr kanë marrë lëndime të lehta, mes tyre efektivi dhe të afërm të viktimës.

Për këtë sherr të ndodhur në dyert e spitalit të Vlorës nuk ka pasur asnjë njoftim nga ana e policisë.

Siç shihet në pamjet, familjarët e 35-vjeçarit dhe bluzat e bardha shkatërrojnë derën e ambulancës dhe viktima Arbër Ferati merret me barelë nga mjekët. Familjarët e tij dëgjohen duke ulëritur në oborr.

Ndërsa pas kësaj kamerat e sigurisë kanë filmuar momentin kur ata dhunojnë policin në korridorin e spitalit.

Vdekja e të riut

35-vjeçari humbi jetën mesditën e 19 qershorit pasi teksa po punonte me autokombajnë, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike të tensionit të lartë.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Tragjas në Vlorë rreth orës 14:50.

“Sot, rreth orës 14:50, në fshatin Tragjas, shtetasi A. F., 35 vjeç, duke punuar me makineri bujqësore autokombajnë, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike të tensionit të lartë, dhe për pasojë ka humbur jetën pasi është dërguar në spital”, njoftoi policia.

Zjarr Tv Ad