Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha sot se qytetarët shqiptarë po solidarizohen çdo ditë e më shumë me Ukrainën dhe se shumë shpejt kryeqyteti do të nisë ndihma drejt Kievit. Në fjalën e mbajtur në eventin hapës të projektit rajonal “Zhvilluesit dhe sipërmarrësit e rinj për avancimin e bizneseve start-up në Ballkanin Perëndimor, Veliaj kujtoi se dy muaj më parë ai u takua me homologun e tij ukrainas, kryebashkiakun e Kievit, Vitali Klitschko, me të cilin tha se ndanë sfida të ngjashme, por ajo që i diferencon dy vendet tona është fqinjësia e mirë.
Ajo që po ndodh në Ukrainë është shumë e rëndësishme – të mendosh jo vetëm veten, por edhe se sa e rëndësishme është fqinjësia e mirë, të rrethohesh nga fqinjë që duan më të mirë tënde, të cilët duan që edhe ti të ecësh përpara, siç ne e kemi fatin të jemi me këta fqinj – ose mund të jesh i rrethuar nga fqinj që mendojnë si të të pushtojnë, si të avancojnë pretendimet e tyre territoriale.
Shembujt më të mirë po na vijnë nga Ukraina, nga aktivistë të ngjashëm me ju, nga kryetarë bashkie të ngjashëm me disa prej nesh këtu, me disa programues dhe kodues që, edhe pse në kushte të vështira, po dalin me ide kreative – e ky takim na shërben edhe për të reflektuar pak, për të qenë mirënjohës për disa gjëra që ndoshta i marrim për të mirëqena, deri në ditën kur nuk i kemi më ose kur shohim se dikush i humbet këto brenda natës, e ngryset në një vend të lirë dhe gdhihet në një vend të pushtuar, vijoi Veliaj.




