Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, u shpreh sot pas mbledhjes së qeverisë se ministria po përgatitet për sezonin e ardhshëm veror.
Në njoftimin e vendimeve të qeverisë, Kumbaro bëri me dije se qeveria miratoi sot ndryshimin e kufirit minimal të stacioneve të plazheve publike që do të përdoren nga bashkitë.
Kufiri minimal është rritur me 10%, që do të thotë nga 20 që ishte, vitin tjetër kufiri minimal do të jetë 30%.
“Jemi në vjeshtë po përgatitemi për dimër, por qeveria po përgatitet dhe për sezonin veror në një kohë rekord si asnjëherë më përpara.
Kaluam vendimin e Këshillit të Ministrave me disa ndryshime në menaxhimin e stacioneve të plazhit. Pasi nuk duhet të mendojmë për plazhin kur pushuesit mendojnë për plazhin, por duhet të mendojmë më herët, në mënyrë që sezoni i ardhshëm të jetë dhe më i mirë se ai që lamë pas.
Një ndryshim që vlen të përmendet është një ndryshim i kufirit minimal të stacioneve të plazhit publike që do të menaxhohen nga bashkitë. Këtë vit në total 50% e parcelave të plazhit ishin publike, minimumi ligjor ishte 20% e ngritëm me 30%.
Do të vazhdojnë kontrata e lidhura të jenë të vlefshme dhe për vitin tjetër dhe për kohëzgjatjen e lidhur.
Dy masa shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me turizmin detar, siç janë stacionet e ankorimit të mjeteve lundruese.
Për vitin që vjen aplikimet për stacionit e plazhit fillojnë më datën 1 nëntor. Pra gjithë përgatitjet për sezonin e ardhshëm do të kryhen brenda vjeshtës së vitit 2022”, tha Kumbaro.




