Minatorët në të gjithë vendin, duke filluar nga dita e nesërme do të nisin një valë protestash për zvarritjen që i është bërë miratimit të statusit të minatorit.
Nëse qeveria nuk arsyeton, do të shtohen protestat lokale përpara Ministrisë së Financës dhe asaj të Infrastrukturës.
Mësohet se vendimi për nisjen e protestave u mor sot në takimin që minatorët nga mbarë vendi, zhvilluan me drejtuesit e Konfederatës së Sindikatave.
Kreu i KSSH-së Kol Nikollaj gjatë fjalës së tij u shpreh se: “Kjo është një luftë të cilën do ta çojmë deri në fund dhe nuk do lejojmë që shokët e Balilit dhe ushtarët e oligarkëve të tallen me djersën dhe gjakun e minatorëve dhe ish-minatorëve”.
Ndër të tjera ai ka sqaruar qëndrimin se Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, e kundërshton paketën ligjore të ofruar nga ish-ministri i Financave, që sipas tij parashikon shfuqizimin e statusit të naftëtarit
Fjala e zbardhur e Kol Nikollajt kreu i KSSH
Do doja sot të mos ishim mbledhur për statusin e minatorit, por fatkeqësisht institucionet shtetërore që nuk kursyen asgjë për oligarkët po vijojnë të mbajnë peng miratimin e statusit të minatorit, një e drejtë legjitime, ndërsa de fakto kanë shfuqizuar edhe statusin e naftëtarit.
Kjo është një luftë të cilën do ta çojmë deri në fund dhe nuk do lejojmë që shokët e Balilit dhe ushtarët e oligarkëve të tallen me djersën dhe gjakun e minatorëve dhe ish minatorëve.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë kundërshton paketën ligjore të ofruar nga ish Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, që në mënyrë nihiliste parashikon shfuqizimin e statusit të naftëtarit, dhe nxjerrjen e një ligji që parashikon një shtese suplementare për minatorët naftëtarët dhe metalurgët, që janë në kategorinë e profesioneve të vështira.
Me pak fjalë pensioni aktual i minatorëve do shumëzohet me një koefieçent 1 % për çdo vit, e për pasojë shtesa në pension do jete 14 mije deri ne 30 mije leke te vjetra ne muaj, rritje e pa përfillshme .
Ndërkohë për metalurgët e naftëtarët pensioni aktual do shumëzohet me një koefiçent 06 % për çdo vit pune, e për pasoje do jetë e njëjta rritje si e minatorëve në vlerë.
Kjo paketë ligjore për minatorët, naftëtarët dhe metalurgët është një fyerje që s’do duhej të ishte bërë kurrë nga një qeveri e majtë.
E ftoj Ahmetajn, Gjiknurin, Anila Denajn dhe Belinda Ballukun të gjejnë një ditë të vizitojnë Bulqizën, të shkojnë në shtëpinë e një ish minatori dhe minatori për të parë skamjen ku jetojnë. I ftojnë të vizitojnë edhe galeritë e nëntokës ku minatorët hynë për të punuar e nuk e dinë nëse do dalin gjallë.
Ju siguroj se pas këtyre vizitave do arsyetoni dhe do viheni në lëvizje. Pasi do përballeni me realitetin migjenian të këtyre punonjësve..
Në statusin e minatorit kërkesa jonë është qartë, nuk mund të ketë pension më të vogël se 320 mijë lekë të vjetra për minatorët, naftëtarët e metalurgët, ndaj asnjë propozim tjetër nuk do pranohet nga ne. Kjo vlerë nuk është asgjë krahasuar me dinjitetin dhe kontributin e tyre ndaj shoqerisë dhe ekonomisë kombëtare..
Në emër të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë ju bëj me dije se nesër minatorët nisin një valë protestash në të gjithë vendin..dhe javën që vjen do përqëndrohemi në Tiranë përpara institucioneve shtetërore..
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë do mbështesë deri në fund kërkesat e minatorëve dhe nuk do tërhiqet përballë asnjë presioni të qeverisë, apo manipulimi të çdo force apo rrymë politike..të cilat për interesa e llogari të tyre politike po shkatrrojnë çdo protestë të mirfilltë ekonomike apo civile..
Ministrja e re e financave Anila Denaj duhet të organizojë një tryezë urgjente për këtë çështje përpara se vala e protestuesve të marshojë drejt zyrës saj.