Një shpërthim i fuqishëm me eksploziv ndodhi mbrëmjen e të premtes në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, ku u dëmtua kanali I ujit Ibër- Lepencit. Sulmi ndodhi pak orë pasi policia e Kosovës njoftoi rritjen e masave të sigurisë në nivel vendi.
Si pasojë u shkatërrua kanali, ndërsa pati ndërprerje të furnizimit me ujë për disa qytete dhe po ashtu për Korporatën energjetike të Kosovës.
Autoritetet e quajtën sulmin terrorist. Ministri I brendshëm, Xhelal Sveçla tha se autorët përdorën rreth 15 kilogramë eksploziv.
Si rezultat i një akti terrorist, një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit e cila është cilësuar si infrastrukturë kritike, është dëmtuar seriozisht. Nuk dihet ende sasia e saktë e eksplozivit, por sipas ekspertëve të policisë së Kosovës, të cilët pritet të ndihmohen edhe nga ekspertë të KFOR-it, flitet për rreth 15 kilogramë eksploziv…Është mund të themi lirisht akti më i madh ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës në Kosovë.