Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka në fjalën e saj në Parlament është ndalur edhe tek sulmi që kryeministri Rama u bën mediave.
Ajo tha se Rama në mes të ditës, në një vend plot me plazhistë i vendos tritolin “Prestige Resort”, për të goditur median.
“Të gjitha këto shërbime të shqiptarëve ndaj tij, i ka harruar dhe i ka tejkaluar vetë me pushtetin e tij tashmë gati absolut, jo me thyerje kockash të hundës ndaj kritikëve, por me blerje të hapura të medias kur mundet, ose me rrënime televizionesh si Agon Channel, duke u lënë shqiptarëve faturën e 110 milion eurove; me tritol në mes të plazhistëve ditën e lume në një nga asetet e “Fokus media”, me qëllimin që ta shkatërrojë, sepse kushedi se ku i ka mbetur kunji; me shkujdesjen për të gjetur autorët e sulmit mbi Top Median me kushedi ç’qëllim në prapaskenë, me fyerjet e tij personale ndaj gazetarëve faqe shqiptarëve me qëllim intimidimi dhe depersonalizimin e tyre; me gërhushjet dhe talljet e tij nëpër studiot televizive, veçmas ndaj gazetareve femra nga kushedi ç’inate të vjetra”, tha deputetja e PD.
E ndalur tek hapja e fushatës së Ramës, Açka u shpreh se “ka zbritur në nivelin e tallavasë”.
“Dhjetë vjet më pas, pupaci i spektaklit mediatik, duket i nginjur nga media, aq sa nuk e merr seriozisht as nisjen e një fushate, duke zbritur në nivelin e tallavasë, të cilën madje po e promovon si gjetje shumë të zgjuar të vetën. Është po i njëjti njeri që në fundvitin e tij të parë në pushtet i thirri në një darkë të pagabuar figurat kryesore të medias shqiptare, duke i fyer dhe bullizuar drejtpërdrejt në televizion, si t’ua parathoshte kthimin e tyre, me hir a pa hir, në shqytarë të tij”.