Ditën e sotme, për herë të parë pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021 rreth 43 deputetë të opozitës u mblodhën së bashku në një takim të thirrur nga Gazment Bardhi.
Takimit iu bashku edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe 13 deputetët që e mbështesin. Gjithashtu në mbledhje ishin edhe katër nga pesë aleatët që PD i kishte në listën e saj në zgjedhjet e 25 prillit.
Pas diskutimeve me dyer të mbyllura, deputetët dhe aleatët ranë dakord që të ketë një mbledhje të përjavshme. Gazment Bardhi është ndalur për gazetarët, pas përfundimit të thirrur prej tij, ku morën pjesë 43 deputetë të opozitës.
Ai tregoi një pjesë të axhendës për sesionin e ri parlamentar, ndërsa shtoi se do të rikonceptohet komisioni i ri i reformës zgjedhore.
“Ishte një takim i nevojshëm, i vonuar i deputetëve të opozitës. Sot në takimin me 43 deputetë të PD-së, të Aleancës për ndryshim, kemi caktuar një pjesë të axhendës për sesionin e ri parlamentar. Synimi ynë janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Është vendosur si prioritet i punës, të gjithë deputetët e opozitës, të atyre që e ndjejnë veten deputetë, duke vijuan punimet në Komisionet hetimore. Është e papranishme që opozita që ka denoncuar masakrën zgjedhore e 14 majit, që mos të çojë para një pjesë të interesit të opozitës”, tha fillimisht Bardhi.
“Vendimi i parë që morëm është padyshim rikonceprimi i detyrave dhe përbërjes së komisionit zgjedhor. Do paraqesim në nisje të sesionit ngritjen e tre komisioneve hetimore, për koncesionet PPP dhe problematika në shëndetësi, çështja e dytë ka të bëjë me të dhëna personale të qytetarëve, çështja e patronazhistëve dhe dyshimet për ndërhyrje në sistemin TIMS, dhe së treti jemi njohur me të dhëna sesi zyrtarë publike në konflikt interesi marrin vendime për të pasuruar familjarë dhe miq, dhe komisioni do jetë i fokusuar në shpërdorimin e detyrave”, u shpreh më tej Bardhi.
Ndërsa Lulzim Basha deklaroi se i uron “udhë të mbarë në bunkerin anti-amerikan” Gazment Bardhit pas mbledhjes së sotme me 43 deputetë të opozitës, ky i fundit i është përgjigjur para gazetarëve, pas përfundimit të mbledhjes.
Bardhi u shpreh se nuk ka koment, por e fton që t’i rikthehet misionit opozitar.
“Nuk kam asnjë koment, ftesa për Bashën është t’i rikthehet misionit si opozitar. Apeli im është të reflektojë për momentin që ndodhet Shqipëria dhe që mosfunksionimi i opozitës mund t’i shkaktojë vendit”, tha ai.