Të gjithë kundër Bashës, apo pro kastës grabitqare dhe sistemit të kalbur?

0
121
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

NGA POLI HOXHA

Në fakt fjala “Të gjithë” në këtë titull duhet vënë në thonjëza, sepse bëhet fjalë vetëm për një pakicë që zhurmon si “shumicë”.

Pakicë që tenton të krijojë perceptimin e shumicës pasi kanë dalë të bashkuar dhe hapur rreth Berisha&Metaj, Edi Ramës, dhe gjithë kastës politiko-ekonomike në vend me në krye Samir Manen, Kastratin, Ulajn, Geci… e mediet dhe analistët që ata kontrollojnë.

Mjaftoi një shfaqje normale e stilit perëndimorë dhe disa teza të hershme të tij, (Pikante dhe ekzistenciale për mbylljen e tranzicionit), të cilat i hodhi Lulzim Basha përpara një grupi të rinjsh, që të trazohet deri në skizofreni Foltorja, Rilindja, deputetë të PD-së të fshehur aty si “i bukri shejtan”, analistët, emisionet televizive, portalet, etj.

Të gjithë, edhe ata të cilët deri dje ndanin “mendime të ndryshme”, janë bërë bashkë dhe i janë lëshuar Lulzim Bashës. I kërkojnë llogari, se përse u rishfaq pikërisht tani që punët e opozitës dhe të Shqipërisë janë më mirë se kurrë!

Po çfarë bëri dhe tha “Luli i shkretë”, që i janë vërsulur kështu?!

Tha që duhen hapur listat e deputetëve 100%. Të rrëzohet marrëveshja kushtetuese, Berisha-Rama e vitit 2008, e cila ka zhdukur votën e lirë, shkatërruar partitë dhe ka instaluar kryetarokracinë. Këtë e shoqëroi me domosdoshmërinë e vettingut të politikanëve aktualë dhe të kandidatëve për deputetë në të ardhmen. Këto së bashku janë e vetmja zgjidhje, për të parandaluar dhe pastruar parlamentin nga biznes-politika dhe politika si biznes. I futi në fund edhe domosdoshmërinë e votimit të emigrantëve dhe me këtë, e mbushi fare kupën!

Kam ndjekur këto ditë gjithë operacionin politik dhe mediatik anti-Bashë. Ngjason si një “McGonigal 2”.

Baltosja në fakt në pamje të parë duket sikur po bëhet ndaj tij si individ, por nuk e fshehin dot se është në funksion të frikës nga projekti i tij anti-kastë dhe anti-estabilishment.

Qëllimisht të gjithë i shmangen thelbit dhe ai është: A është dakord Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Metaj, Jorida Tabaku, Gazmend Bardhi, Dash Sula, Saimir Koreshi, Agron Gjekmarkaj, Tomor Alizoti, Ervin Salianji, Blendi Fevziu, Fatos Lubonja, Andi Bushati, Çim Peka, Baton Haxhiu, Grida Duma, Sokol Balla e të tjerë me rrëzimin e marrëveshjes Berisha-Rama të vitit 2008 dhe për një sistem të ri zgjedhorë, i cili ti nxjerr deputetët nga qytetarët dhe jo kryetarët?!

A janë dakord këta dhe shumë të tjerë që i janë lëshuar në kurriz Lulzim Bashës, për vetting të thellë ndaj politikanëve; të futen të gjithë në sitë për pasurinë dhe kontaktet e papërshtatshme njësoj siç u bë me prokurorët dhe gjykatësit?!

Po me votimin e emigrantëve a kanë gjë?!

Kaq e thjeshtë është dhe kaq pak duhet; Një pozicionim nëse janë pro, apo kundër.

Tani të flasim pak për alibitë e tyre, të tipit se përse Basha nuk duhet që të kthehet në politikë dhe madje, as të mos guxojë që të futet në garë për kryetarin e ri të PD-së.

Ata që vazhdojnë të mbajnë me shiringa dhe oksigjen Berishën dhe Metën edhe pas katastrofës së 14 majit, nuk ja vlen ti analizosh.

Më të lezetshmit dhe më qesharakët janë këta “brenda llojit” në PD. Këta që hanë në sofrën e partisë e cila u pozicionua përkrah SHBA dhe Perëndimit për fenomenin Berishë në politikë dhe qeverisje, por në fakt ushqejnë Berishën dhe berishizmin që kanë në bark dhe kokë.

Flasin për bashkim mekanik me Foltoren, por nuk thonë se përse nisi përçarja. Duket sikur i ka kapur amnezia dhe harrojnë që kanë mbajtur fjalime në Kuvendin e 18 dhjetorit 2021, edhe më të ashpra se ai i Bashës kundër berishizmit në parti dhe ndarjes përfundimtare nga e shkuara korruptive dhe autokrate e PD-së.

Bëjnë sikur harrojnë se kanë vendosur në statutin e partisë që çdo “nongratë” nga perëndimi, lëvizje apo fraksion politik që ata krijojnë, nuk ka punë në radhët e kësaj force politike ku vazhdojnë dhe marrin rrogën.

Janë po këta që kanë votuar një vit e gjysmë më parë përjashtimin e Berishës nga PD, jo vetëm sepse me atë brenda shndërrohen direkt në parti anti-amerikane dhe anti-perëndimore, (fiks siç e do Edi Rama për të vdekur në pushtet), por edhe sepse vetëm disa minuta i ndau nga një masakrim fizik nga hordhitë e Berishës mbi selinë e PD, në 8 janar të vitit të shkuar.

Sot edhe pse Berisha doli i rrënuar politikisht nga 14 maji dhe kokën e mban me ankth nga zhvillimet në SPAK, këta vazhdojnë e kanë mendjen po te ai. Dalin e flasin për bashkim dhe thonë të ulet Gaz Bardhi me Berishën dhe të merren vesh, sepse nuk fitojmë dot të përçarë. Po pse nuk ishin bashkë me ata të Berishës dhe të Metës në 14 maj?!

Dash Sula në Peqin, Rogozhinë, Elbasan; Saimir Koreshi në Lushnje, Divjakë e në Tiranë dhe plot të tjerë që sot, analizojnë rikthimin e Bashës si “përçarje”. A nuk ishin ata të bashkuar me kandidatët e primareve dhe i pamë si “fituan”?!

Mirë që i ka “xhan” Sali Berisha se të isha unë në vend të tij, u kërkoja llogari për humbjen e turpshme të kandidatëve të primareve në 14 maj.

Tani që ti vëmë pikat mbi i: Ato 103 mijë vota të PD-së ishin vota gjaku të qarta dhe të betuara anti- Berishë&Rama&Metaj. Edhe rreth 73 përqind që bojkotuan ishin me heshtjen e tyre kundër kësaj tresheje por edhe kundër atyre në PD, deputetë e çfarëdo qofshin, të cilët kanë në bark dhe mendje Berishën dhe i kërkojnë “bashkim”.

Të gjithë këta dhe shumica e “viktimave dhe pengjeve” brenda Foltores dhe PS-së duan fundin e tranzicionit dhe të kësaj kaste politiko-oligarkike-kriminale 32 vjeçare, që i ka lënë më të varfrit në Europë.

Dhe kjo arrihet vetëm me tezat që Lulzim Basha po i artikulon dhe këta i quajnë në mënyrën më qesharake si “të vjetra”. Teza-plan që i kanë edhe SHBA-BE paralelisht me drejtësinë e re, pasi kanë arritur në përfundim se këta as vetë dhe as me “votë” nuk shkulen.

Dhe këtë në kushtet e sotme, mund ta realizojë vetëm një parti si PD e lindur demokratike dhe euro-atlantike, e kthyer në monstër nga berishizmi, por e rilindur si Feniksi nga hiri që shkaktoi në 14 maj Rama&Berisha&Metaj.

Ndaj i ftoj kolegët gazetarë dhe moderatorët që të lënë pallavrat me temën idiote, “pse u rikthye Lul Basha”, por të këmbëngulin te pyetja për Edi Ramën, Sali Berishën, Ilir Metajn, Jorida Tabakun, Gazmend Bardhin, Dash Sulën, Saimir Koreshin, Agron Gjekmarkajn, Tomor Alizoti, Ervin Salianjin, Blendi Fevziun, Fatos Lubonjën, Andi Bushatin, Çim Pekën, Baton Haxhiun, Grida Dumën, Sokol Ballën e gjithë të tjerët:

A jeni dakord për një sistem të ri zgjedhor me lista të hapura duke zhbërë marrëveshjen Berish&Rama dhe deputetët të dalin direkt nga populli; Po për vettingun në politikë, po për votën e emigrantëve?! Po/Jo, rrugë të mesme nuk ka, sepse shqiptarët nuk janë aq budallenj sa i kujtojnë ata!/Alfapress.al

Zjarr Tv Ad