“…të keqen mami hajde të ikim…”, por Azgan Mërnica i drejtoi armën në sy policit dhe qëlloi

0
420
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Azgan Mërrnica, i ka drejtuar armën drejt syrit të majtë punonjësit të policisë Novruz Cenalia, duke qëlluar vetëm një herë në mënyrë të befasishme, çka solli vdekjen e menjëhershme të tij.

Distanca e vrasjes ka qënë e vogël, ndërsa krimi i rëndë ka ndodhur në prezencë të katër dëshmitarëve kryesorë të kësaj ngjarje, Ledion Shara, Hermes Sharra, Cen Qelia dhe nënës së autorit të krimit, Ajete Mërnica.

“Ora News” ka mësuar se ditën e krimit në 13 Maj 2024, Azgani së bashku me nënën e tij Ajete Mërnicën, kishin shkuar në qytetin e Fierit për të blerë ushqime dhe produkte të tjera tek zona e quajtur “Zogu i Zi”, për djalin e saj Kirin, i cili ndodhej në burg për tenativën e vrasjes ndaj shtetasit, Pashk Palnikaj.

Teksa kanë përfunduar pazarin, Ajetja së bashku me djalin e saj Azganin, janë larguar drejt fshatit të tyre. Mjetin e drejtonte Azgani, i cili nuk kishte patente për drejtim mjeti.

Por teksa kanë shkuar tek kthesa e fshatit Baltëz, Azgan Mërnica është konfliktuar me Novruz Cenalian, i cili ishte duke shkuar në Fier për të marë shërbimin si punonjës i Drejtorisë së Policisë Fier.

Për këtë ngjarje të rëndë është marë në pyetje Hermes Sharra i cili ka qenë present në vendin e ngjarjes dhe ka deklaruar se:
“…rreth orës 13 të drekës ndodhesha, tek dyqani ku punon djali i xhaxhait tim, Ledion Sharra së bashku me Ledionin dhe Cen Qelia. Dyqani ndodhet në fshatin Baltëz tek vendi i quajtur “tek kthesa” në Baltëz dhe aty po konsumonim pije. Unë ndodhesha i ulur jashtë dyqanit bashkë me ta, me kurriz nga rruga dhe me fytyrë nga dyqani dhe në këtë moment pranë nesh pashë që po vinte Novruz Cenalia me automjetin e tij tip “Benz” dhe na përshëndet me dorë. Në këtë moment afrohet me shpejtësi një automjet me ngjyrë të zezë e tipit mos gaboj “Audi A3”, e cila ishte dhe me xhamat e zinj. Targat s’ja fiksova. Në momentin qe Novruzi na përshëndeti, ka ulur shpejtësinë pasi ishte dhe kthesë. Unë ngre dorën dhe e përshëndes…”-ka treguar në polici Hermes Sharra.

Më tej ai ka vijuar me dëshminë e tij, duke rrëfyer se teksa përshëndeti Novruzin, aty ka mbëritur me shpejtësi automjeti i autorit “Audi A3” dhe i pret rrugën në kthesë Novruzit, i cili qëndroi makinën në vend dhe njëkohësisht i bie buries. Autori largohet pak metra, duke ndaluar mjetin në krahun e majtë të dyqanit.

“…në këtë moment, vura re drejtuesin e mjetit, i cili zbret nga “Audi A3” dhe e shan me fjalë të ndyra Novruzin dhe njëkohësisht fut dorën në çantën me ngjyrë të zezë që mbante në qafë të varur, duke nxjerrë një armë tip pistoletë, të cilën e karikon me të dyja duart, duke e mbushur atë, dhe më pas duke e mbajtur pistoletën përpara me një dorë, me drejtim nga Novruzi. Novruzi, hap derën e automjetit, zbret nga mjeti i tij dhe i drejtohet me fjalët autorit: “…pse u fute aq keq…”.Por autori vazhdoi ta ofendonte dhe kërcënonte Novruzin me armën e tij. Novruzi ishte i veshur me uniformën e policisë me ngjyrë të kuqe dhe blu dhe i drejtohet autorit me fjalët: “…ça ke pse më ofendon…” dhe të dy kur afrohen përballë njëri-tjetrit, u shtytën me duar dhe duke u sharë me fjalë të pista.

Në këto çaste punonjësi i policisë Novruzi, përpiqet t’i kapte dorën, ku mbante armën autori me të cilin ia drejtonte atij dhe dorën e tij e mbante poshtë, tek arma ku ishte vendosur në këllef, dhe në një moment nxjerr armën, të cilën e mbajti poshtë pa ja drejtuar asnjëherë autorit.

“…për shkak të kësaj situate në këtë çast, afër tyre afrohet dhe Cen Qalia dhe një grua që doli nga automjeti i autorit “Audi A3”, e cila i drejtohesh atij me fjalët: “…të keqen mami hajde këtej…”, “…o Azgan mos bëj, mos e bëj o Azgan, hajde të ikim….”. Ai nuk i fliste fare të ëmës dhe vazhdonte kërcënimin ndaj Novruzit. Në këto momente, Azgani i drejton afër në sy pistoletën Novruzit dhe shkrep armën në mënyrë të befasishme. Novruzi bie menjëherë në tokë, ndërsa autori bashkë me të ëmën largohen me automjetin e tij, për në drejtim të fshatit Hamil-Sulaj…”-ka treguar në policinë e Fierit Hermes Sharra.

Të njëjtën dinamikë ngjarje ka treguar në polici dhe dëshmitari tjetër Cen Qalia, i cili teksa i është afruar dy personave që po konfliktoheshin i është drejtuar autorit të krimit duke i thënë:

“…hiqe atë armë se nuk është lodër…”.
Por autori ka drejtuar pistoletën drejt punonjësit të policisë, duke qëlluar vetëm një herë dhe më pas së bashku me nënën e tij, është larguar drejt banesës./ORA NEWS

Zjarr Tv Ad