Teknologjia e informacionit, Shqipëria e fundit në Evropë por rivalizon për celularët

0
874
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shqipëria është i vetmi vend në Europë me mesatare poshtë nivelit të mesatares botërore për sa i përket indeksit të zhvillimit të teknologjisë.

Shqipëria renditet e fundit nga 40 shtetet europiane për sa i përket zhvillimit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit sipas Indeksit të Zhvillimit të TIK për 2016-n, publikuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (International Telecommunication Union -ITU).

Në total, indeksi ka renditur 175 ekonomi, ku Shqipëria renditet e 91-a, 10 vende më larg se Bosnja, e renditur e parafundit në rajon.

Krahasuar me 2015-n, vlera e indeksit të teknologjisë është përmirësuar nga 4.62 në 4.92 në 2016-n.

Në krahasim me një vit më parë, progresi më i madh është bërë me qasjen në internet dhe me rritjen e numrit të shtëpive që kanë një kompjuter.

Norma e penetrimit e transmetimit me anë të kabllove të të dhënave u rrit nga 6.5% në 2014 në 7.6% në 2015. Çmimi për lidhjet kabllore të internetit ranë nga 29.79 dollarë në 2008-n në 9.52 dollarë në 2015-n. Çmimet e paketave të kompanive celulare ranë nga 32.13 dollarë në 6.35 dollarë në 2015. Edhe çmimet e paketave të internetit ranë nga 2012 në 2015.

Rritja e numrit të përdoruesve të telefonisë celulare nga 30.9% në 2014 në 40.6% në 2015-n, kryesisht u nxit nga prezantimi LTE dhe LTE-A.

Europa, rajoni me mesataren më të lartë në zhvillimin e TIK

Europa është rajoni që ka vlerën më të lartë të mesatares së zhvillimit të teknologjisë së informacionit, 7.35, vetëm pak pikë më poshtë mesatares së vendeve të zhvilluara, të cilat e kanë 7.40.

Rreth 29 nga 40 vendet e rajonit bëjnë pjesë në çerekun e parë të renditjes për Zhvillimin e Teknologjisë, ndërsa vetëm një vend, Shqipëria, nuk është pjesë as në gjysmën e parë.

Gjithashtu, në raport citohet se Shqipëria është i vetmi vend në rajon me mesatare poshtë nivelit të mesatares botërore për sa i përket indeksit të zhvillimit të teknologjisë.

Të dhënat tregojnë se të gjitha vendet e rajonit kanë një performancë të lartë, megjithatë ka një diferencë gjeografike në shpërndarje.

Vendet e pozicionuara në krye të renditjes kryesisht janë nga Europa Perëndimore dhe Veriore, ndërsa ato në fund janë kryesisht vendet e Europës Jugore dhe Lindore. Ashtu si dhe në vitet e mëparshme, pesë vendet nordike, Danimarka, Finlanda, Islanda, Norvegjia dhe Suedia, renditen në 20 vendet e para.

16 vendet e renditura të fundit të rajonit mbahen nga vendet e Mesdheut dhe Europës Lindore. Pesë vendet e fundit janë të zëna nga shtete që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian.

Marrë nga Monitor.al 

Zjarr Tv Ad