Tensionet dhe dialogu Kosovë-Serbi, Borrell takohet ndaras me Kurtin dhe Vuçiçin

0
28
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pritet të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nëpërmjet një postimi në Twitter.

Takimet do të zhvillohen më 11 nëntor në Paris, ku liderët po marrin pjesë në Forumin e Paqes.

Sipas Stanos, qëllimi i takimit është të ndihmojë në zbutjen e përshkallëzimit të situatës, qetësimin e tensioneve aktuale dhe avancimin e dialogut të Brukselit.

Me Kurtin dhe Vuçiqin pritet të takohet më 10 nëntor edhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Të mërkurën, kryeministri Kurti paralajmëroi mundësinë e një takimi trepalësh me Vuçiqin.

Takimi eventual ndërmjet tyre pason krizën në veri, pasi pjesëtarët e komunitetit serb u larguan nga institucionet e Kosovës.

Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë këtë plan.

Kosova kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Plani i saj parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese.

Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, e kundërshtojnë planin, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të tij, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës. /REL

Zjarr Tv Ad