Mediat ndërkombëtare shkruajnë për protestën e dhunshme në Tiranë.
“Protestuesit shqiptarë përpiqen të hyjnë në kryeministri”, shkruan agjencia e lajmeve Reuters. Ajo përmend faktin se mbështetësit e opozitës u përpoqën të thyenin kordonin policor “pasi hedhen bomba Molotov dhe flakadanë. Gaz lotsjellës u hodh mbi protestuesit që po tentonin të shkatërronin derën e kryeministrisë”.
“Përleshje me policinë në manifestimin e organizuar nga opozita”, pohon Washington Post që gjithashtu ndalet tek aktet e dhunshme përpara kryeministrisë. “Opozita në shesh në Tiranë; sulmohet selia e qeverisë’, shkruan italiania la Repubblica.
Trazirat pasqyrohen gjithashtu nga TGcom. “Situatë tepër e tensionuar në Tiranë”, thotë media italiane duke kujtuar se mbështetësit e opozitës kërkojnë zgjedhje të parakohshme dhe një qeveri të re tranzitore.
Edhe grekja Kathimerini i dedikon hapësirë protestës së dhunshme në Tiranë.