Deputeti i PD-së Tritan Shehu është takuar në Gjermani me kreun e CDU Friedrich Merz, për të cilin thotë se është politikani më influent i të djathtës në Europën e Bashkuar.
Shehu shkruan se i ka përcjellë përshëndetjet e falënderimet e Kryetarit Berisha dhe të PD për interesin e rolin thelbësor të Gjermanisë, CDU e atij personalisht ndaj Shqipërisë e Rajonit.
Ai thekson se e ka siguruar politikanin gjerman se PD mbështet vetëm Procesin e Berlinit, nismat europiane dhe i kundërvihet me forcë atyre, që frynë erë për nga Lindja, si dhe çdo projekti tjetër përçarës e destabilizues.
Postimi i Shehut:
Berlin.
PD, me “fytyrën” nga Europa e Perëndimi, përkrah vetëm Procesin e Berlinit e konsideron CDU mbështetësen e madhe.
Mbrëmë kisha një takim shumë të rëndësishëm me Z. Friedrich Merz, kryetar i CDU gjermane, politikani më influent i të djathtës në Europën e Bashkuar. U zhvillua një bisedë miqësore, ku së pari i përcolla përshëndetjet e falënderimet e Kryetarit Berisha dhe të PD për interesin e rolin thelbësor të Gjermanisë, CDU e atij personalisht ndaj Shqipërisë e Rajonit. Më tej e informova për zhvillimet në vendin tonë e në rajon, për problemet, rreziqet e sfidat me të cilat po ballafaqohemi.
Duke i kërkuar mbështetjen e CDU në përpjekjet tona, si dhe forcimin e rolit të saj e Gjermanisë aty, qoftë me Procesin e Berlinit, qoftë dhe me iniciativa të tjera.
E sigurova se PD mbështet vetëm Procesin e Berlinit, nismat europiane dhe i kundërvihet me forcë atyre, që frynë ere për nga Lindja, si dhe çdo projekti tjetër përçarës e destabilizues.
Në bashkëbisedim u theksua vullneti i palëkundur i PD për të qenë një faktor vendimtar në Shqipëri e i rëndësishëm në Rajon, në mbështetje të të gjithë proceseve, që forcojnë stabilitetin e paqen, duke shtyrë në rrugën e integrimit.
I kërkova Kryetarit Merz që gjithashtu të forcohet bashkëpunimi ndërpartiak, PD-CDU, duke i parashtruar dhe disa elemente konkrete të këtij procesi. Gjeta mirëkuptimin e tij, si dhe vullnetin për takime të tjera direkte midis dy forcave tona politike.
Ky ritakim me Z. Merz përmbylli ciklin dy ditor të takimeve të mia në Berlin.