Veliaj: 10 kilometra korsi të dedikuara për biçikletat në Tiranë

0
619
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Bashkia e Tiranës parashikon ndërtimin e 10 kilometrave korsi të dedikuara për lëvizjen e biçikletave. Ky synim u bë publik nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë një takimi të zhvilluar me Ambasadoren e Hollandes, Dewi De Weerd, profesorë të ardhur nga Hollanda dhe Unversiteti i Tiranës, ku u prezantua edhe një studim i posaçëm mbi mundësitë e lëvizjes me biçikleta në Tiranë.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se një vëmendje e veçantë i është kushtuar promovimit të lëvizjes me biçikleta, jo vetëm si një mënyrë për të reduktuar trafikun në rrugët e Tiranës, por edhe si një lëvizje që nxit jetën e shëndetshme. Ai theksoi se për herë të parë është vendosur një fond i posaçëm për këtë qëllim edhe në Buxhetin e Bashkisë së Tiranës dhe se rrugët e reja po ndërtohen duke pasur edhe një korsi të dedikuar për biçikletat.

“Kemi filluar me disa rrugë, si rrugët kryesore “Dritan Hoxha”, rruga “Gjergj Filipi” te Pallati i Kongreseve, rruga e “Kosovarëve”, pra të gjithë rrugët e reja po pajisen me një korsi të dedikuar biçikletash, por kjo nuk mjafton. Ne duhet të kemi një rrjet, ndaj në buxhetin e këtij viti, kemi projektuar 10 kilometra korsi biçikletash, si një buxhet i veçantë në Bashkinë e Tiranës, si një buxhet që për mendimi tim duhet të vazhdojë të jetë çdo vit, pavarësisht se kush është kryetar bashkie, për të treguar se sa prioritet është kjo për qytetin”, bëri të ditur Veliaj.

Ai theksoi se shumë shpejt do të fillojë përcaktimi i korsive për biçikletat në disa nga rrugët kryesore ekzistuese të kryeqytetit. Kreu i Bashkisë u shpreh se ndërtimi i korsive të posaçme të dedikuara për biçikletat është një investim afatgjatë dhe që do t’i shërbejë qytetit dhe qytetarëve në vitet që vijnë duke bërë një jetë më të shëndetshme.

Ambasadorja holandeze, Dewi De Weerd siguroi mbështetje për çdo projekt që Bashkia e Tiranës do të kërkojë të zbatojë për ndërtimin e korsive dhe stacioneve të qendrimit të biçikletave. “Të rinjtë janë shumë pozitivë përsa i përket ecjes me biçikletë (çiklizmit) dhe ju do të keni një mbështetje të madhe, nëse bëni zona për biçikletat dhe jo vendparkime makinash”, tha ambasadorja Dewi De Weerd.

Zjarr Tv Ad