Fax News zbardh axhendën e protestës së nesërme kombëtare, të thirrur nga Partia Demokratike nën udhëheqjen e Sali Berishës, si dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët kanë krijuar dhe Frontin për Shqipërinë. Mësohet se protesta e të enjtes, 7 Korrik do të hapet me këngën e Renis Gjokës dhe Big Bastës, e cila pritet të jetë dhe himni i qëndresës së demokratëve. Vetë ish-kryeministri Sali Berisha do të nisë marshimin për tiu bashkuar protestës nga selia e PD-së, drejt Bulevardit Dëshmorët e Kombit në Tiranë.
Në protestë pritet të flasin dhe përfaqësues nga Shoqëria Civile, ku i pari do të marrë fjalën avokati Altin Goxhaj, si kryetar i Frontit për Shpëtimin e Shqipërisë. Protestuesit sipas degëve do të mblidhen një pjesë në sheshin Skënderbej, një pjesë tek Nënë Tereza. Vetë Berisha pritet që të jetë i fundit që do të marrë fjalën në podium, ndërkohë që më herët para tij do të ngjiten për të marrë fjalën përfaqësues të të gjitha shtresave të shoqërisë.
Në protestë, e cila është e para që prej marrjes së drejtimit të PD-së nga Sali Berisha, pritet që të ketë një numër të madh folësish. Nga ana tjetër protestës pritet që ti bashkohen dhe deputetë që deri tani kanë mbajtur qëndrime neutrale, apo kanë qenë kundër rikthimit të Berishës në krye të PD-së. Në mes këtyre emrave vlen të përmendim, Jorida Tabakun, Grida Dumën, Ervin Salianjin, Tomorr Alizotin, Helidon Bushatin apo Saimir Korreshin.