Ambientet e Spitalit Covid 3 janë përfshirë nga flakët paraditen e kësaj të shtune. Mësohet se zjarri është vënën nën kontroll në kohë dhe nuk ka pacientë apo persona të tjerë të lënduar. Zjarri ka rënë në katin e parë të spitalit që ndodhet në QSUT në Tiranë. Në këtë zonë ku ka rënë zjarr mësohet se nuk ka pacientë pasi është një dhomë mjeku.
Kati i parë i këtij pavioni përdoret për zyra për personelin, ndërsa pacientët dhe urgjenca për personat me koronavirus ndodhen në një ambient tjetër. Shkak paraprak dyshohet se është bërë një ngrohëse elektrike, e cila mund të jetë harruar ndezur.
Në ambientet e spitalit, mes policëve dhe forcave zjarrfikëse, pas shuarjes së flakëve janë shfaqur dhe ministrja Ogerta Manastirliu dhe shefja e shërbimit Infektiv Najada Çomo.
Spitali Covid 3 në QSUT është restauruar nga Qeveria për të përballuar ngarkesën e sistemit nga personat e infektuar, por deri sot aty nuk kishte pacientë. Pritet që Ministria e Shëndetësisë të dalë me njoftim zyrtar për rastin në fjalë.
Tiranë/ Informacion paraprak
Me datë 27.11.2021, te spitali “Covid 3” ka rënë zjarr në një nga zyrat e administratës, ku ka vetëm dëme materiale. Shërbimet zjarrfikëse kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit. Grupi Hetimor është në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rënies së zjarrit.