Ai mund të hapte një ëmbëltore në Kukës, por Januz Noka, është bërë i famshëm në New York për ëmbëlsirat që gatuan në “Grand Central Oyster Bar & Restaurant” për më shumë se 20 vjet. Emrin e tij e përmendin gazetat e specializuara të New Yorkut. Dhe siç e dini gjithçka kalon prej stomakut. “Grand Central Oyster Bar & Restaurant” ka në ditë rreth 2500 klientë që shijojnë ëmbëlsirat e shqiptarit Januz Noka, i cili punon atje prej vitit 1993.
Noka, së bashku me dy asistentët e tij, krijon vizatime të ndryshme mbi ëmbëlsirat e tij ndërsa vendin ku punon e quan “më të bukurin në Manhattan”. Nga ora 5:30 e mëngjesit e deri në orën 2 pasdite, ai shërben ëmbëlsirat me pak kalori, pasi restoranti më shumë ofron ushqim deti.
Përveç ëmbëlsirave, Noka është i zoti edhe në shërbimin e akulloreve të cilat janë sezonale në këtë restorant. Noka ka standarde të larta. Për të, ëmbëlsirat janë art.
“Nëse nuk shtohen përbërësit në kohën e duhur… ju nuk mund ta riparoni ëmbëlsirën. Ajo shkatërrohet nëse nuk është kombinimi i duhur i sheqerit dhe erëzave”, thotë ai.
“Duhet të jetë një kryevepër. Një që do t’i bëjë të uritur klientët posa ta shikojnë ëmbëlsirën”, ka thënë veç të tjerash ai. Ndërsa ka rrëfyer se puna e parë që e ka bërë në New York ka qenë pjatalarës. “Të jetoja në Amerikë ishte ëndrra ime. Ishte sikur të lindja për herë të dytë”, ka thënë ai.