Berat/ Kisha e “Shën Mërisë”do t’i nënshtrohet së shpejti restaurimit

0
70
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Afresku i kishës së “Shën Mërisë” në Sinjë, Berat do t’i nënshtrohet së shpejti restaurimit.

Këshilli Kombëtar i Restaurimeve pas shqyrtimit dhe diskutimit në Këshillin Shkencor të Institutit të Monumenteve të Kulturës miratoi projektin e konservimit dhe restaurimit të afreskut në pikturën murale të Kishës së Shën Mërisë, Sinjë.

Projekti u hartua nga specialistët e sektorit të artit pranë DRKK-Berat dhe ndërhyrja konsiston në konsolidimin e shtresës së suvasë me murin, konsolidimi i bordurave me llaç, konsolidimin e shtresës së pelikulit me shtresën përgatitore dhe pastrimi i depozitimeve të blozave dhe kripërave që ndodhen në afresk.

Kisha e ”Shën Mërisë” mendohet të jetë ndërtuar në shekullin XI-XII, kur pati një lulëzim të madh të arkitekturës së kishave–shpellë, periudhë e cila shquhet për realizimin e kishave dhe ambienteve përreth në disa raste me volume të vogla, duke shfrytëzuar me mjeshtëri gjithë hapësirën e mundshme që jepte shpella natyrore në atë pjesë të formacionit shkëmbor.

Arkitektura e kishës nuk shquhet për volume të konsiderueshme, por është një ndërtim mjaft i thjeshtë me gurë të përmasave mesatarë të lidhur midis tyre me llaç gëlqereje.

Hapësira e brendshme e kishës është e vogël dhe e përshtatur me terrenin shkëmbor.

Mendohet të jetë një kishë heremitësh.

Pas derës hyrëse është një hapësirë tepër minimale, me dimensione 72×120 cm.

Në të djathtë të kësaj hapësire gjenden shkallët e ngushta prej guri, të lyera me gëlqere, të cilat çojnë në hapësirën e sipërme.

Hapësira e sipërme ka një dysheme, e cila thyhet në tre nivele të ndryshme sipas terrenit shkëmbor, të cilat lidhen me shkallë.

Në mes të hapësirës së sipërme, në faqen lindore shkëmbore gjendet absida e përshtatur në mënyrë shumë harmonike me terrenin.

Në bazë të kërkesës së Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare-Berat, në vitin 2015, Ministria e Kulturës shpalli Monument Kulture të kategorisë së I Kishën e “Shën Mërisë” në fshatin Sinjë dhe “Urën e Kasabashit” në Çorovodë, ku bashkë me shpalljen monument kulture, u shpallën edhe zona të mbrojtura

Zjarr Tv Ad