Burgosja e Salianjit/ Opozita nis sot mosbindjen civile, zbardhen skenarët! PD kërkon 4 orë leje

0
111
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Opozita nis sot në orën 18:00 mosbindjen civile deri në largimin e Kryeministrit Edi Rama. Ndryshe nga tradita e krijuar, nuk do të ketë fjalime politike dhe marshimi do të nisë nga godina e qeverise për t’u shtrirë në disa prej rrugëve kryesore të Tiranës.

Sipas drejtuesve të PD-së, më 7 tetor fjalën e kanë qytetarët. Edhe pse demokratët tregohen të rezervuar për skenarin e tyre, mësohet se objektiv i protestuesve pritet të jetë edhe Bashkia e Tiranës, ku prej muajsh demokratët protestojnë para godinës së saj. Pikënisja kryesore e protestuesve do të jetë nga selia blu për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, ndërsa pjesa tjetër do t’i bashkohet tubimit nga pika të tjera sipas organizimit që është bërë nga strukturat e PD në rrethe. Pas grumbullimit para Kryeministrisë, protestuesit do të shpërndahen në zona të ndryshme me qëllim bllokimin e rrugëve kryesore të kryeqytetit.

Së bashku me PD-në, në shesh do të jenë edhe aleatët e saj, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Agron Duka e Vangjel Dule, ndërkohë që Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj dhe Dashamir Shehi nuk do të marrin pjesë, pasi besojnë se kjo nuk është strategjia më e mirë kundër qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Edi Rama.

Protesta e 7 tetorit u caktua pas burgosjes së ish-deputetit Ervin Salianji, por nisja e revoltës ishte paralajmëruar më herët nga Partia Demokratike, e cila shprehet se me Edi Ramën në krye të qeverisë nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme. Për këtë arsye, opozita ka paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë deri në largimin e liderit të mazhorancës dhe krijimin e një qeverie teknike, që ta çojë vendin në zgjedhje. Në 11 vitet e fundit, PD-ja ka provuar disa aksione radikale kundër qeverisë Rama dhe mazhorancës socialiste duke nisur nga çadra që zgjati 3 muaj para Kryeministrisë në vitin 2017 deri te djegia e mandateve, bojkoti i zgjedhjeve lokale e qindra protesta kundër qeverisë. Mbetet për t’u parë nëse ky aksion i ri do t’i sjellë apo jo opozitës fitoren përballë PS dhe Edi Ramës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Prej më shumë se një javë, strukturat e PD krahas përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme, kanë mobilizuar demokratët dhe për protestën e Kombëtare të së hënës, e cila do të jetë edhe formën e mosbindjes civile. Demokratët në këtë protestë kërkojnë që t’i bëjnë presion mazhorancës për ngritjen e një qeverie teknike para zgjedhjeve të vitit 2025 si dhe respektimin e Kushtetutës së vendit, që sipas demokratëve është shkelur nga mazhoranca për mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Drejtuesit e PD theksojnë se pa një qeveri teknike nuk mund të ketë zgjedhje të sigurta, duke paralajmëruar manipulimin e procesit zgjedhor rreth tetë muaj para se të ndodhë. Edhe pse kishte disa muaj që brenda PD kishte zëra për mbajtjen e protestave kombëtare antiqeveritare, aksioni i opozitës mori formë konkrete pas dënimit me burg të Ervin Salinjit. Ky aksion filloi në Kuvend, me djegien e karrigeve të opozitës dhe do të vijojë në terren. Por, ndërsa për aksionin në Kuvend theksojnë se do të jetë i vazhdueshëm, për frontin tjetër në terren, PD ende nuk është e qartë se si do të vijojë pas protestës të së hënës.

POLICIA

Rreth 1200 efektivë policie do të jenë të angazhuar në terren për protestën e thirrur nga opozita pasditen e së hënës. Mësohet se krahas strukturave të rendit në Policinë e Tiranës, në gatishmëri do të jenë FNSH, RENEA dhe Garda e Republikës. Këta të fundit do jenë të pozicionuar në pjesën e brendshme të institucioneve të rëndësisë veçantë që ndodhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë. Zyrtarisht, opozita ka kërkuar leje në polici për 4 orë tubim përpara Kryeministrisë. Por pavarësisht kësaj, protesta pritet të shtrihet edhe në zona të tjera të Tiranës dhe kohëzgjatja është e paqartë. Për t’i paraprirë çdo skenari të mundshëm, uniformat blu pritet të instalojnë kamera inteligjente në disa prej akseve ku parashikohet të shtrihet protesta. Gjithashtu, në gatishmëri do të jenë edhe autobotë me ujë. Po në kuadër të masave të ndërmarra, policia ka programuar bllokimin e disa akseve kryesore në kryeqytet, duke nisur nga Ministria e Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza” dhe degëzimet që lidhen me të. Kufizime pritet të ketë dhe në segmente të tjera, në varësi të zhvillimit të tubimit.

Mbarëvajtja e këtij tubimi, cilësohet me tepër rëndësi për uniformat blu të kryeqytetit, të cilat pasditen djeshme u mblodhën nga drejtori i përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, për të marrë porositë e fundit për protestën e opozitës. Policia e Shtetit publikoi dje planin e masave, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë. Në njoftimin e policisë thuhet se në orën 18:00, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza” dhe në rrugët: “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Duke qenë se opozita ka paralajmëruar se protesta do të shtrihet në të gjitha rrugët e Tiranës, policia bëri me dije se në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve dhe në disa akse rrugore të kryeqytetit. Po ashtu, Policia e Shtetit apelon për të gjithë ata që do të marrin pjesë në tubim, që të distancohen nga çdo akt që cenon sigurinë publike dhe jetën dhe çdo akt dhune ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike e private, ndaj punonjësve të policisë, përfaqësuesve të mediave dhe qytetarëve.

Zjarr Tv Ad