Në ditën ndërkombëtare të 1 Majit, e njohur si Dita e Punëtorëve, Unioni i Sindikatave ka organizuar një protestë përpara Ministrisë së Ekonomisë.
“Jeta e punëtorit nuk është kosto biznesi”, “Pagë për të jetuar, jo për të mbijetuar” shkruhet në disa prej pankartave që mbahen nëpër duar nga qytetarët që kanë dalë për të protestuar për të drejtat në punë. Përveç numrit të paktët, vihet re dhe mungesa në masë e të rinjve.
Përveç ngritjes së një ministrie të posaçme pune, qytetarët kërkojnë gjithashtu dhe miratimin e një minimumi jetik dinjitoz.
“Sot nuk do të themi fjalë të bukura, por do të kërkojmë të drejtat tona, të drejtat e punëtorëve. Mblidhemi jo vetëm për të kujtuar historinë e 1 majit, por për të kërkuar të ardhmen që meritojmë. Është thirrje për drejtësi, barazi, për të drejta në punë. Sot është rritur numri i vdekjeve në vendin e punës me 45% krahasuar me një vit më parë.
Është dyfishuar numri i aksidenteve në punë. Institucionet përgjegjësve nuk bëjnë kontrolle reale. Duhet të ketë një ministri Pune, veçanërisht për punëtorët. 1 maji është protestë, jo festë. Jo vdekje në punë. Duam siguri. Duhet të miratohet në parlament minimumi jetik.”, tha ndër të tjera Kondi Lija, drejtor i Unionit të Sindikatave të Shqipërisë.
Ndërkohë një tjetër protestë po zhvillohet përpara kryeministrisë nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë.




