Presidenti i vendit Ilir Meta ka kujtuar jetët e humbura me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Holokaustit. Ai i është bashkuar lutjeve dhe nderimit të kujtimit për miliona jetë të humbura gjatë periudhës së errët të Luftës së Dytë Botërore.
Postimi i plotë i Ilir Metës:
Me shumë kënaqësi përshëndeta nëpërmjet një video-konference, aktivitetin ndërkombëtar me temë “Një botë në udhëkryq”, të organizuar në Izrael me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Holokaustit.
U bashkova lutjeve dhe nderimit të kujtimit për miliona jetë të humbura gjatë periudhës së errët të Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar domosdoshmërinë për të qëndruar të palëkundur në mbrojtje të idealeve të tolerancës, të drejtave të njeriut, lirisë së besimit dhe integritetit njerëzor, që duhet të mbizotërojnë mbi tragjeditë e së kaluarës pa u lejuar të përsëriten më.
Ndava krenarinë për Kodin e Nderit të kombit shqiptar, BESËN, për faktin se Shqipëria ishte vendi në të cilin numri i hebrenjve ishte më i madh pas se para Luftës së Dytë Botërore, dhe në veçanti për harmoninë tonë unike ndërfetare, shembull për mbarë botën.




