Ilir Meta takon ambasadorin serb në Tiranë, shmang Ballkanin e Hapur dhe kërkon të drejtat e shqiptarëve në Preshevë

0
51

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka pritur në takim sot ambasadorin e Serbisë në Tiranë, diplomatin Slobodan Vukčević. Në njoftimin për mediat, Meta ka shmangur Ballkanin e Hapur dhe thotë se mbështet Procesin e Berlinit.

Shënimi i plotë i Ilir Metës:

Prita sot në një takim Ambasadorin e Republikës së Serbisë në Tiranë, Slobodan Vukčević. Theksova angazhimin e Partisë së Lirisë për marrëdhënie bashkëpunimi institucionale dhe konkrete me interes reciprok, midis Shqipërisë dhe Serbisë, si edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit europian.

Partia e Lirisë mbështet në veçanti bashkëpunimin rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, duke e konsideruar si një bazë solide për një integrim të vërtetë të të gjashtë vendeve të rajonit, sipas modelit europian, mes vetes dhe në BE.

Partia e Lirisë nënvizon nevojën për respektimin e të drejtave të plota të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanovc e Preshevë, dhe i bën thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Serbi, të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë që zhvillohet atje.

Partia e Lirisë mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, midis Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen reciproke midis dy shteteve. Partia e Lirisë është e bindur se e ardhmja e rajonit tonë është e sigurtë dhe me prosperitet për të gjithë qytetarët tanë, vetëm si pjesë e Bashkimit Europian.

Zjarr Tv Ad