Protesta e opozitës kundër mbylljes së TikTok, ja ku do të zhvillohet tubimi dhe orari

0
72

Protesta e opozitës e thirrur më 15 mars kundër vendimit të qeverisë për mbylljen e tij TikTok do të zhvillohet përpara Kryeministrisë.

Tubimi mësohet se do të nisë para godinës qeveritare në orën 19:00. Thirrje për protestë u bënë nga kreu i PD-së, Sali Berisha pas vendimit të kryeminstrit Edi Rama për të mbyllur platformën në Shqipëri për 1 vit.

“Akti i bllokimit të tij për faktin se me TikTok, të rinjtë po e kritikonin dhe e përqeshnin Edi Ramën është një akt brutal, është një intolerancë e tij ndaj mendimit ndryshe”, deklaroi Berisha.

MBYLLJA E TIKTOK

Nga mesi i muajit mars, askush nuk do të përdorë më “TikTok” në Shqipëri për 1 vit. Qeveria shqiptare vendosi mbylljen e kësaj platforme, që do të nisë pas një jave.

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e cila prezantoi vendimin tha se brenda pak ditësh Agjencia e Sigurisë Kibernetike do të mbyllë platformën kineze. “Kemi vendosur për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të ‘TikTok’.

Kemi zhvilluar një seri të gjerë konsultimesh me 65 mijë prindër të pyetur në 1300 takime. Janë aspekte që lidhen me sigurinë e fëmijëve ndaj platformave që kanë përmbajtje të pakontrolluar. Në këto takime, me qëllim edhe realizimin e planit të veprimit të ri sa i takon forcimit të mekanizmave të parandalimit të incidenteve që sjellin dhunë fizike, bullizmin apo edhe atë ‘online’, prindërit kanë rekomanduar mbylljen ose kufizimin e ‘TikTok’”, – theksoi ministrja në fjalën e saj.

Ajo shtoi se qeveria ka një komunikim të vazhdueshëm me platformën “TikTok” për vendosjen e filtrave të nevojshëm.

“Duke marrë të gjitha faktet dhe elementet që lidhen direkt me sigurinë e fëmijëve, kemi rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit për ‘TikTok’ për 12 muaj. Periudhë që do të na lejojë për marrjen e masave në bashkërendim me përfaqësuesit e ‘TikTok’.

Jemi në komunikim me ‘TikTok’ sa u takon filtrave, moshës së aksesit, kontrollin prindëror dhe filtrave të domosdoshëm lidhur me të gjitha aspektet e komunikimit në gjuhën shqipe. Me këto filtra do të parandalojmë edhe promovimin e sjelljeve që janë të padëshiruara, të cilat vijnë përmes komunikimit në platformën e ‘TikTok’”, – tha ministrja

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Zjarr Tv Ad