Nga ëndrra e fëmijërisë në qëllimet aktuale. Igli Tare foli për herë të parë si drejtor sportiv i Milanit. Shqiptari tregoi se që në vegjëli ka qenë tifoz kuqezi dhe sot ky post është një ëndërr e bërë realitet. Sipas Tares, çdo futbollist që do të vijë te Milani, duhet ta di rëndësinë dhe peshën që fanella kuqezi mbart.
“Milani ka një histori të lavdishme . E kam ndjekur që kur isha fëmijë, kujtoj kohën e Wilkins. Familja ime, të gjithë ishin tifozë të Milanit: gjithmonë ka qenë një lidhje e fortë dhe nuk e kam fshehur as kur u bëra lojtar. Duhet të fillojmë në mënyrën e duhur, ka shumë pritshmëri: ka qenë një sezon shumë i gjatë me shumë zhgënjime. Duhet energji dhe dëshirë për të siguruar që Milani të kthehet në atë që kemi parë gjithmonë në historinë e tij”, thotë ish-futbollisti i Kombëtares.
Tare tregon se ka ide të qarta dhe është i gatshëm t’i bëjë realitet.
“Duhet të jemi të qartë për një gjë: Milani është një klub ku kërkon rezultate menjëherë, është një klub ku duhet të fitosh. E kam kuptuar këtë dhe jam gati ta përballoj: duhet të sigurohemi që kjo të ndodhë, por me ide të qarta. Dua të shoh një ekip që djersitet për fanellën, që është i uritur dhe dëshiron të fitojë. Dua të shoh atë San Siro që shpërthen nga gëzimi i tifozëve. Do të bëj gjithçka, do të jap gjithçka nga vetja për ta bërë këtë të ndodhë”, thotë ai.
Çështja e parë që Igli Tare do duhet të zgjidh te Milani është trajneri i ri i skuadrës. Emri më i përfolur deri më tani është ai i Massimiliano Allegri me të cilin synon të gjejë sa më shpejt një marrëveshje për të mposhtur konkurrencën me Napolin. (A2 Televizion)




