Vendimi i SPAK: Pezullim nga detyra dhe detyrim paraqitjeje për kreun e Prokurimeve, Jonaid Myzyri

0
1

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme pezullimin nga detyra të kreut të Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri.

Po ashtu, është vendosur masa e sigurisë detyrim paraqitje pasi Myzyri dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.

Objekt i hetimit të SPAK ka qenë procedura e prokurimit të mbirëmbajtjes së një aksi rrugor me fond limit mbi 219 milionë lekë pa tvsh.

Ky tender është zhvilluar në vitin 2020 me autoritet kontraktor Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe ka të bëjë me lotin e pestë, “Mirëmbajtje rutinë me performancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Q. Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit”.

“Shqyrtimi i procedurës nga ana e autoritetit kontraktor ka pasur paligjshmëri, të cilat Komisioni i Prokurimit Publik nuk i ka marrë në konsideratë”, njoftoi SPAK.

Gjatë shqyrtimit të procedurës së mësipërme, Komisioni i Prokurimeve në mënyrë të paligjshme ka favorizuar bashkimin e dy operatorëve ekonomike ku pas veprimeve hetimore ka rezultuar se kanë paraqitur dokumente të falsifikuar.

Për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera janë marrë të pandehur edhe shtatë zyrtarë të tjerë, ndërsa për falsifikim të dokumenteve tre persona.

“Për këtë procedurë prokurimi janë marrë si të pandehur: Jonaid Myzyri, V.Zh., L.S., M.Z., E.B., V.H., G.A., dhe A.H.,  të dyshuar për kryerjen e veprës penale: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe shtetasit; M.L., N.K., dhe A.K., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal”, njoftoi SPAK.

Zjarr Tv Ad