I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka treguar për “Inside Story” të gjitha krimet e tij përfshirë këtu dhe bashkëpunëtorët, që dikur miq të ngushtë, e sot armiq të përbetuar.
Pas grabitjes së parë të një argjendarie në Elbasan, Dumani tashmë i përfshirë nga euforia e botës së krimit, kryen grabitjen e radhës me Talo Çelën, Ilirjan Feçin dhe Gentjan Sharrën. Shënjestër ishte kambisti Skënder Rroshi nga Kavaja, i cili për çdo ditë, me vete mbante një çantë të lidhur për dore me shuma të mëdha parash.
“Si punë e kishte gjet Ilirjan Feçi, se e njihte ai. E kishte komshi aty me motrën, e njihte edhe ja dinte lëvizjet. Planin pastaj e kemi bërë të gjithë bashkë një natë përpara. Pra ne kemi bërë planin sonte, nesër në mëngjes kemi shkuar e kemi grabitur.
Ka qenë një burrë në moshë, 55–60 vjeç. 2–3 ditë përpara ngjarjes kemi nis përgatitjet për grabitjen. Në përgatitje kanë marrë pjesë unë, Gentjan Sharra, Talo Çela dhe Ilirjan Feçi. Përgatitjen e kemi bërë po në Kavajë, ke shtëpia e hallës Ilirjan Feçit”, tha Dumani për “Inside Story”.
Dumani tregon se kambisti Skënder Rroshi u godit nga pas me levë nga Talo Çela në fund të disa shkëllëve. Ai mori dhe dy goditje të rënda në fytyrë ku iu thye nofulla e pësoi deformime të rënda.
“Unë i kam dalë përballë të më shihte mua, të dyshonte, sepse menduam që ai do më shihte mua, do dyshonte edhe Talo do ta godiste pa mëndje. Kemi pas levë në dorë, Talo ka pas një levë në dorë që e priste poshtë shkallës në zbritje. Edhe ai nuk e pa fare Talon, ai po më shikonte mua. I ka gjuajtur ke shkalla, i ka gjuajt dy herë surratit me levë. Ai ra në tokë direkt, siç ishte me fytyrë ra në tokë, se ju thy edhe nofulla, ju shtrembua turiri.”
Nga shpejtësia për tu larguar, Nuredin Dumani tregon se nuk arriti që t’i priste litarin dhe për shpejtësi i preu dorën për t’i marrë çantën.
“Kur ka rënë poshtë, i ka gjuajtur edhe nja dy herë mbrapa ky, po s’ishte nevoja me i gjuajtur më, se ai kishte mbaruar në fakt. Për shpejtësi unë nuk munda ta pres mirë atë litarin edhe ja preva edhe dorën. Mund ta kem prerë tre katër herë tek dora.”




