Këtë të premte, më 27 shkurt, Shoqëria Civile ka reaguar përmes një letre të hapur drejtuar institucioneve qendrore lidhur me situatën e krijuar pas bllokimit të aksit kombëtar Librazhd-Prrenjas, ndërsa ka njoftuar edhe zhvillimin e një proteste.
“Gjithashtu, ju noftojmë se ditën e hënë, më datë 2 mars, ora 17:00, përpara bashkisë Korçë do të mbahet një protestë qytetare për këtë qëllim.”, tha një përfaqësues.
Në këtë letër publike, nënshkruesit flasin për pasojat që ka sjellë bllokimi i rrugës, duke përfshirë kufizimin e lëvizjes së lirë, dëmtime të aktivitetit ekonomik dhe turistik, rritje të kostove të transportit dhe shtim të rreziqeve për sigurinë publike për shkak të devijimeve në rrugët alternative.
“Kërkesë për ndërhyrje urgjente dhe masa ekonomike mbështetëse për Qarkun Korçë pas bllokimit të aksit kombëtar Librazhd-Prrenjas. Kjo situatë ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme në jetën e përditshme të qytetarëve dhe në funksionimin normal të rajonit. Bllokimi i aksit ka kufizuar ndjeshëm lëvizjen e lirë të qytetarëve, ka dëmtuar aktivitetin ekonomik dhe turistik të Qarkut Korçë, si dhe ka rritur ndjeshëm kostot e transportit dhe të mallrave.
Njëkohësisht, devijimi i qarkullimit drejt akseve alternative ka shtuar rreziqet për sigurinë publike, për shkak të gjendjes jo optimale të këtyre rrugëve dhe fluksit të shtuar të mjeteve. Izolimi i pjesshëm i Qarkut Korçë po ndikon ndjeshëm në ekonominë familjare dhe në qëndrueshmërinë e bizneseve, ndërkohë që mungesa e një plani publik me afate të qarta po shton pasigurinë dhe paqartësinë. Duke qenë se kemi të bëjmë me një infrastrukturë kombëtare nën përgjegjësinë e institucioneve qendrore, konsiderojmë të domosdoshme një ndërhyrje të menjëhershme, të koordinuar dhe transparente.”, lexoi letrën një nga përfaqësuesit e nënshkruesve.
Shoqëria Civile i ka dërguar 6 kërkesa institucioneve, mes të cilave publikimin e një plani teknik me afate të qarta për stabilizimin e zonës së rrëshqitjes dhe rikthimin e qarkullimit.
“Presim një përgjigje zyrtare brenda afateve ligjore dhe shprehim gatishmërinë për të marrë pjesë në çdo tryezë konsultimi apo dëgjesë publike që do të organizohet për këtë çështje.”, thonë përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Kërkesat e Shoqërisë Civile:
-Publikimin e një plani teknik ndërhyrjeje, me afate të qarta realizimi për stabilizimin e zonës së rrëshqitjes dhe rikthimin e qarkullimit të sigurt.
-Përmirësimin e menjëhershëm të gjendjes së akseve alternative dhe bypass-eve provizore, me ndërhyrje teknike emergjente për garantimin e sigurisë dhe lehtësimin e qarkullimit.
-Mbështetje financiare dhe masa lehtësuese ekonomike, për të kompensuar kostot shtesë që po rëndojnë mbi qytetarët dhe bizneset e rajonit, përfshirë sektorin e turizmit dhe transportit
-Garanci të qarta dhe transparente për furnizimin e pandërprerë të rajonit me mallra dhe karburant,
pas deklarimeve se kamionët e naftës nuk do të lejohen të qarkullojnë nga Maqedonia, por do të devijohen nga Kosova. Ky ndryshim i itinerarit ngre shqetësime serioze lidhur me sigurinë e furnizimit me hidrokarbure, kostot shtesë të transportit dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që mund të ketë në rritjen e çmimeve për qytetarët dhe bizneset e Qarkut Korçë.
-Raportim periodik publik (javor) mbi ecurinë e punimeve dhe masat e ndërmarra. (Drejtuar Qarkut Korçë)
-Hartimin e një plani strategjik alternativ kombëtar për lidhjen e juglindjes së vendit, në mënyrë që të reduktohet varësia nga një aks i vetëm rrugor. Qarku Korçë përfaqëson një zonë me rëndësi të veçantë ekonomike, prodhuese, turistike dhe strategjike për vendin. Ai është një nyje e rëndësishme ndërkufitare, duke pasur në territorin e tij katër pika doganore që lidhin Shqipërinë me vendet fqinje dhe që luajnë rol kyç në qarkullimin e mallrave, eksporteve dhe importeve.
Për rrjedhojë, bllokimi i aksit kryesor kombëtar nuk përbën thjesht një problem rajonal, por një çështje me impakt të drejtpërdrejtë në zinxhirin kombëtar të furnizimit, në tregtinë ndërkufitare dhe në ekonominë e vendit në tërësi.




