E martë, Prill 7, 2026
Ballina Aktualitet Negociatat/ Ku manipulon Rama kur thotë: “Nuk ka bllokim”

Negociatat/ Ku manipulon Rama kur thotë: “Nuk ka bllokim”

0
25

Edi Rama të dielën dhe më pas ministri i tij i jashtëm, Ferit Hoxha, këtë të hënë, kanë hedhur poshtë në mënyrë indirekte një lajm të botuar në Lapsi.al, sipas të cilit 9 vende të BE-së me në krye Gjermaninë janë bërë pengesë për mbylljen e kapitujve që Shqipëria po negocion me Bashkimin e Evropian.

“Gjithçka që thuhet kur vjen puna te negociatat lidhet me gënjeshtrën e madhe se: ‘ato janë bllokuar’, ‘ato janë ndaluar’, ‘ato janë penguar’. Kjo punë e madhe e Shqipërisë vazhdon përditë e përditë e përditë dhe, së shpejti, përsëri, siç kemi pasur në procesin e hapjes së kapitujve, do të kemi lajme shumë të mira për të gjithë”, deklaroi kryeministri në podcastin e tij flasim.

Ndërsa shefi i diplomacisë Hoxha u shfaq sot në një intervitë në Euronews, për të bërë një shpjegim më të detajuar dhe në pamje të parë më teknik: “Unë u them me bindje të plotë dhe të padiskutueshme që procesi nuk është bllokuar dhe as nuk është ngadalësuar, por nëse duam të jemi të sinqertë me procesin, duhet të kuptojmë natyrën e procesit. Shqipëria është i pari dhe i vetmi vend që po negocion në këtë aspekt metodologjinë e re.

Janë 92 hendekë të mbushur, dhe përderisa Komisioni Europian është dakord që këto hendeqe janë mbushur mjaftueshëm për të krijuar besimin që Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe të pakthyeshme, meriton t’i jepet OK dhe vazhdon faza tjetër, që është faza e kapitujve.

Procesi ka natyrën e vet, ka kompleksitetin e vet dhe vendet anëtare janë ato që do të vendosin dhe unë e kuptoj shumë mirë që do të kenë pyetje. Ato 9, apo sa kanë qenë, janë vende që bëjnë pyetje, bëjnë pyetje shtesë dhe nuk kanë bllokuar gjë. Më gjeni dhe shkoni dhe pyetini ato vende që thonë se na kanë bllokuar apo jo dhe merrni përgjigje” hodhi dorashkën ai.

Por, pothuajse në të njëjtën kohë kur shefi i diplomacisë fliste, një media që nuk mund të konsiderohet si kundërshtare e qeverisë, Albanian Post, nxori në ballinën e saj një lajm që konfirmonte atë që Lapsi.al kishte thënë pak ditë më parë se raporti IBAR, qëndronte ende në pritje të miratimit. “Sipas një dokumenti zyrtar të Këshillit të BE-së, Grupi i Punës për Zgjerimin (COELA) do të mblidhet më 7 prill në Bruksel, ku në rend dite është përfshirë sërish çështja e Shqipërisë dhe IBAR-it për Grupkapitullin 1 – “Themeloret”, thuhej në artikull.

Pak ditë më parë Lapsi.al mësoi se në diskutimet e datës 1 Prill në COELA, që është një grup pune i Këshillit të Bashkimit Europian, ku përfaqësues të të gjitha shteteve anëtare diskutojnë në nivel teknik dhe politik procesin e zgjerimit, një grup vendesh me Gjermaninë, Luksemburgun, Holandën, Suedinë, Austrinë, Finlandën, Poloninë, Greqinë dhe Bullgarinë anëtare të Bashkimit Europian kanë ngritur disa çështje që rrezikojnë avancimin me negociatat.  Në artikull gjithashtu theksohej se Komisioni Evropian ka hapur dritën jeshile për Shqipërinë, duke dhënë mendim pozitiv për të vijuar me mbylljen e kapitujve, por se në këtë pikë, në mbledhjet e kohëpaskohëshme të COELA-s për aprovimin e raportit IBAR, një pjesë e vendeve anëtare nuk bien dakord. 

Atëhere pyetja shtrohet: si qëndron e vërteta? Mos vallë kanë të drejtë Rama dhe ministri Hoxha kur pohojnë me gojën plot se nuk ka bllokim?

Në fakt, ashtu sikurse pyet në mënyrë manipulative shefi ynë i diplomacisë, asnjë vend nuk ka thënë publikisht se i ka ndërprerë, i ka ngrirë, apo bllokuar negociatat me Shqipërinë. Duke përdoruar si kërkesë më të fortë mospengimin e SPAK-ut për Ballukun, por edhe shqetësime të tjera si të drejtën e pronës, apo klimën e biznesit, ato thjeshtë nuk kanë qenë në një mendje me qeverinë e BE-së (Komisionin) për ti mundësuar Shqipërisë mbylljen e kapitujve të parë të negociatave.

Pra, askush prej tyre nuk thotë procesi u ndërpre, ama fakti është se qeveria e Tiranës nuk po mundet ta arrijë rezultatin që priste kryesisht se po e sakrifikon atë në emër të ish/zvkryeministres që akuzohet për shpërdorimin e 1.1 miliardë eurove. Pikërisht me këtë fakt manipulon edhe Rama kur thotë për negociatat, se është gënjeshtër të pretendosh se: ‘ato janë bllokuar’, ‘ato janë ndaluar’, ‘ato janë penguar’.

Askush nga vendet që nuk kanë pranuar ta miratojë raportin IBAR nuk do e bëjë një deklaratë të tillë. Por ama, sjellja e tyre mbetet e pandryshueshme. Ato rrezikojnë të mos e miratojnë raportin e Komisionit Evropian, për sa kohë Balluku i shmanget drejtësisë, duke lënë kështu të pambyllura të gjithë kapitujt e negociatave./lapsi.al

Zjarr Tv Ad