E martë, Maj 12, 2026
Ballina Aktualitet Akuzat për korrupsion/ SPAK kërkon 3 vite burg për ish-kryetaren e komanduar...

Akuzat për korrupsion/ SPAK kërkon 3 vite burg për ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë

0
13

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Oragnizuar (SPAK), ka lexuar këtë të martë (12 maj 2026), konkluzionet përfundimtare për ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë Zyra Islamaj dhe ndërtuesin Rrok Gega.

Për Islamajn, prokurori Bledar Maksuti ka kërkuar 3 vite burg me kushtin që të konvertohet në 4 vite shërbim prove. Ndërsa për Gegën, u kërkua dënim me 1 vit burg me kushtin që të konvertohet në 2 vite shërbim prove.

Islamaj dyshohet se ka kryer veprën penale “korrupsion pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”, ndërsa Rrok Gega për korrupsion aktiv.

Sipas organit të akuzës, Gega dyshohet se ka ofruar përfitime të paligjshme, ndërsa Zyra Islamaj i ka pranuar ato, duke abuzuar me fondet e bashkisë.

Si nisën hetimet

Hetimi nisi pas ndërtimit të një ure në fshatin Luzhë. Sipas SPAK, Zyra Islamaj përdori fondet e bashkisë për interesa personale, duke favorizuar familjarët e saj që jetojnë në këtë fshat. Tenderi u hap nga Bashkia e Tropojës dhe u fitua nga Rrok Gega, i cili është nën hetim bashkë me ish-kryetaren.

Rasti u denoncua në dhjetor 2024 nga Partia Demokratike përmes zëdhënëses së saj për Antikorrupsionin, Genta Vangjeli. PD raportoi se Islamaj kishte kërkuar që ndërtuesi të ndërtonte një urë të personalizuar mbi përroin pranë banesës së motrës së saj.

Zyra Islamaj u komandua në krye të Bashkisë së Tropojës në shtator 2024, pas arrestimit të kryebashkiakut Rexhë Byberi, i akuzuar për ‘shpërdorim detyre’ dhe dëm ekonomik prej 2.7 miliardë lekësh të vjetra për buxhetin e shtetit.

Zjarr Tv Ad