Sipas burimeve të siguruara nga “Pamfleti”, Prof. Xhajanka, një nga zërat më kritikë në Senatin Akademik dhe në Fakultetin e Mjekësisë Dentare, kishte kërkuar që Rektori Xheladin Dracini dhe Këshilli i Etikës të shqyrtonin një sërë shkeljesh që lidhen me veprime të Dekanes së Fakultetit të Mjekësisë Dentare, Silvana Bara
Procesi për largimin nga detyra të Prof. Dr. Edit Xhajankës ka hyrë në një fazë të re, pasi ILDKPKI ka bllokuar procedurën e nisur në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës. Vendimi ka ngritur pikëpyetje serioze mbi ligjshmërinë e veprimeve të ndërmarra nga Universiteti dhe mbi konfliktin e mundshëm të interesit në administrimin e kësaj çështjeje.
Sipas burimeve të siguruara nga “Pamfleti”, Prof. Xhajanka, një nga zërat më kritikë në Senatin Akademik dhe në Fakultetin e Mjekësisë Dentare, kishte kërkuar që Rektori Xheladin Dracini dhe Këshilli i Etikës të shqyrtonin një sërë shkeljesh që lidhen me veprime të Dekanes së Fakultetit të Mjekësisë Dentare, Silvana Bara.
Të njëjtat burime pretendojnë se, në vend që këto materiale të ndiqnin procedurën institucionale dhe t’i kalonin Këshillit të Etikës, është ndërmarrë një rrugë tjetër. Sipas tyre, dekania Bara i ka kërkuar mbështetje Rektorit Dracini për të mos lejuar shqyrtimin e këtyre materialeve nga Këshilli i Etikës.
Po sipas burimeve më pas është hartuar një relacion nga Dekania Bara, i mbështetur në nenin 72 të Statutit të Universitetit, i cili është përdorur për të nisur procedurën disiplinore me kërkesën për lirimin nga detyra të Prof. Xhajankës, ish dekane e Fakultetit të Mjekësisë Dentare për tetë vite, aktualisht anetare Senatit Akademik dhe Pergjegjese e Departamentit te Ortopedise Somatologjike.
Sipas informacioneve të siguruara, edhe më herët Rektori Dracini ka bashkëpunuar me disa kolegë të Prof. Xhajankës, të cilët paraqitën tek Rektori, ankesa ndaj saj, me qëllim që çështja të trajtohej nga Këshilli i Etikës në Universitetin e Mjekësisë, me synimin që konstatimet e tij të përdoreshin si bazë për masa të mëtejshme administrative. Megjithatë, Këshilli i Etikës i universitetit, pasi mori në analizë ankesat ndaj znj. Xhajanka, nuk konstatoi asnjë shkelje dhe si rrjedhojë nuk prodhoi asnjë akt apo vendim administrativ që të mbështeste marrjen e masave ndaj Prof.dr. Edit Xhajanka
Burimet pretendojnë se këto veprime, të ndërmarra në faza të ndryshme, kanë pasur si qëllim largimin e Prof. Xhajankës nga Universiteti i Mjekësisë së Tiranës, duke e konsideruar atë si një nga zërat më kritikë brenda institucionit.
Ndërhyrja e drejtë e ILDKPKI-së ka pezulluar këtë procedurë, duke e kthyer vëmendjen te mënyra se si është administruar i gjithë procesi.
Ndërkohë, “Pamfleti” ka mësuar se Prof. Xhajanka ka depozituar dokumentacione dhe sinjalizime pranë disa institucioneve shtetërore, përfshirë Ministrinë e Arsimit, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Këshillin e Etikës në UMT, Senatin Akademik, Bordin e Administrimit dhe vetë ILDKPKI-në. Sipas informacioneve të siguruara, pjesë e këtij dokumentacioni është edhe një informacion zyrtar i dërguar Rektorit Dracini, me kërkesën që ai t’ia përcillte SPAK-ut, çështje që është ngritur edhe në Senatin Akademik nga Prof. Xhajanka.
Nëse këto rrethana konfirmohen nga institucionet kompetente që po shqyrtojnë këtë rast, ato mund të ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën e trajtimit të denoncimeve, funksionimin e mekanizmave të etikës, respektimin e detyrimeve ligjore nga autoritetet drejtuese të universitetit, si edhe mbi zbatimin e garancive ligjore që mbrojnë sinjalizuesit nga çdo formë hakmarrjeje.
Pamfleti do të vijojë ta ndjekë nga afër këtë çështje me interes publik dhe do të publikojë çdo dokument apo zhvillim të ri në të ardhmen./Pamfleti






