E enjte, Korrik 23, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Seanca e fundit plenare, qytetarët protestë para Kuvendit. Tensione dhe përplasje me...

Seanca e fundit plenare, qytetarët protestë para Kuvendit. Tensione dhe përplasje me policinë

0
11
Zjarr Televizion Adccccc

Këtë të enjte do të zhvillohet seanca e fundit plenare në Kuvend për këtë sesion parlamentar. Kuvendi pritet të nisë në orën 10:00. Rendi i ditës pritet të jetë i ngjeshur ndërsa pritet të raportohen në Kuvend raportet vjetore të institucioneve të drejtësisë, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në seancë pritet të shqyrtojnë projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së këtyre institucioneve gjatë vitit 2025. Gjithashtu pritet të zhvillohen interpelanca dhe seanca pyetje-përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët e opozitës.

Gjithashtu këtë të enjte është njoftuar edhe një protestë nga qytetarët para Parlamentit. Grumbullimi i qytetarëve ka nisur që në orët e para të mëngjesit në sheshin “Skënderbej”, nga më pas marshuan drejt godinës së Parlamentit.

Organet e rendit kanë zgjeruar perimetrin e sigurisë, i cili shtrihet nga zona e “Toptanit” deri te rruga e Elbasanit.

Gjithashtu, rreth godinës së Kuvendit është vendosur edhe gardhi metalik për të parandaluar çdo incident të mundshëm gjatë zhvillimit të tubimit.

Pak para nisjes zyrtare të protestës para Kuvendit janë shënuar incidentet e para mes disa qytetarëve dhe forcave të sigurisë.

Disa protestues janë afruar pranë gardhit metalik të vendosur nga Policia e Shtetit dhe tentuan të heqin rrethimin metalik për të depërtuar drejt godinës së Kuvendit.

Pas këtij veprimi kanë ndërhyrë punonjësit e Policisë, të cilët kanë bllokuar kalimin e qytetarëve për të mbajtur nën kontroll perimetrin e sigurisë. Protestuesit gjithashtu kanë bllokuar për disa minuta rrugën e Elbasanit dhe pas ndërhyrjes së policisë është hapur rruga për qarkullim.

Situata u përshkallëzua në zonën pranë pedonales, pasi protestuesit tentuan të çajnë kordonin policor, me qëllim për t’u zhvendosur në drejtim të godinës së Kuvendit.

Policia po hedh ujë dhe spraj me piper me qëllim shpërndarjen e turmës, ndërkohë që protestuesit janë kundërpërgjigjur duke hedhur vezë, domate dhe me shishe uji në drejtim të uniformave blu.

Zjarr Tv Ad