E hënë, Gusht 17, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet “Der Spiegel”: Protesta kërcënim për Edi Ramën dhe kastën politike që vjedh...

“Der Spiegel”: Protesta kërcënim për Edi Ramën dhe kastën politike që vjedh shqiptarët

0
10

Ivanka Trump ende e ka para syve atë moment, gjë që duket në vështrimin e saj ëndërrimtar. Si, pesë vjet më parë, ajo dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner lundronin me jahtin e një miku pranë bregdetit shqiptar dhe papritur u shfaq kjo “ishull privat”. Si notuan drejt tij dhe, siç pretendohet, u ngjitën “këmbëzbathur” në kodrat e Sazanit. Si nga toka panë një lagunë të rrethuar nga “plazhe të mrekullueshme me rërë të bardhë”.

Kështu e ka treguar vajza e Donald Trump në një videopodcast më 31 maj. Është një histori e bukur. Do të tingëllonte edhe më bukur, nëse një ditë më parë, më 30 maj, nuk do të ishte shfaqur në internet një tjetër videoklip, në të cilin filmohej pikërisht njëra prej atyre lagunave përrallore.

Në të shihen njerëz të shqetësuar përpara telave me gjemba dhe roje me syze dielli, të cilët tërheqin nga të dy krahët një demonstrues të pambrojtur, të shtrirë përtokë, mbi një plazh që nuk ishte aspak aq i bardhë.

Që atëherë, projekti i Ivanka Trump është bërë edhe më i pabesueshëm, ndërsa në Shqipëri zemërimi i njerëzve ka shpërthyer.

Flamingot prej kartoni, mbrëmje pas mbrëmje

Vendi po përjeton këtë verë një trazirë të përmasave që nuk është parë prej kohësh. Që nga fillimi i qershorit, qytetarët janë mbledhur praktikisht çdo ditë në sheshin Skënderbej në kryeqytetin Tiranë. Fillimisht ishin qindra, pastaj mijëra, më në fund dhjetëra mijëra. Një shifër befasuese në një vend me më pak se tre milionë banorë.

Protesta janë zhvilluar ndërkohë edhe në Berlin, Londër, Stokholm, Bruksel, Milano dhe në vende të ndryshme të botës ku diaspora shqiptare është shpërndarë gjatë dekadave të fundit.

Fillimisht, njerëzit protestuan kundër një resorti luksoz me vlerë miliarda dollarë, të promovuar nga familja Trump në jug të Shqipërisë, kryesisht në një zonë të mbrojtur, ku jetojnë zogj dhe kafshë të tjera të rrezikuara.

Por sa më shumë çudira u bënë të njohura rreth projektit, aq më i madh u bë zemërimi i demonstruesve, të cilët mbrëmje pas mbrëmje ngrinin në ajër flamingo prej kartoni në lagjen qeveritare. Zemërimi i tyre tashmë i drejtohet një forme politike shumë të njohur, e cila për dekada ua ka marrë shqiptarëve atë që i ka pëlqyer. Dhe pafuqisë përballë një sistemi në të cilin ligji është më i lakueshëm për disa sesa për të tjerët.

“Revolucioni i Flamingove” është shndërruar në një krizë sistemike. Dhe në një rrezik për Edi Ramën, një artist shtatlartë me petkun e një burri shteti, i cili e drejton vendin me dorë të fortë që prej vitit 2013 dhe është i preferuari i Bashkimit Evropian në Ballkanin e trazuar. Kjo, nga njëra anë, për shkak të sjelljes së tij miqësore dhe shakaxhie – dhe nga ana tjetër, për shkak të gatishmërisë së tij bujare për ta çliruar BE-në nga migrantët e bezdisshëm. Ai dëshiron ta bëjë vendin e tij anëtar të BE-së deri në vitin 2030.

Sazani tashmë quhet “Ishulli Trump”

Rama i ka nxitur me të gjitha forcat ëndrrat e Ivanka Trump për ishullin shqiptar. Por nëse në këtë projekt miliardësh gjithçka po bëhet sipas rregullave, këtë nuk e pyesin vetëm demonstruesit në sheshin Skënderbej, por edhe hetuesit shtetërorë. Në skenë janë akuza shqetësuese: falsifikim dokumentesh, pastrim parash, madje edhe krim i organizuar.

Aty ku mund të ngrihet një prej resorteve më ekskluzive në Mesdhe, tani ndodhen vetëm gurë dhe rërë. Por që tani rasti është shndërruar në një tablo të një vendi që në fillim të viteve ’90 u nda nga komunizmi, por ende nuk ka mbërritur përfundimisht në një shtet ligjor funksional.

Sazani është një nga vijat bregdetare më të paprekura dhe më unike që kam parë ndonjëherë”, Jared Kushner, investitor

Fakti që emri i presidentit amerikan qëndron mbi të gjitha këto, në një farë mënyre përshtatet me tablonë: pse në një prej shteteve më të vogla, më të varfra dhe më të korruptuara të Evropës nuk do të ishte e mundur ajo që është e mundur në kombin më të fuqishëm të botës?

Sidomos kur bëhet fjalë vetëm për disa plazhe të pabanuara dhe një ishull të izoluar. Në Shqipëri, disa tashmë e quajnë “Ishulli i Trumpëve” – Ishulli Trump.

Si një pulëbardhë gjigante

Sazani, objekti i dëshirës së investitorëve të pasurive të paluajtshme, shtrihet në mënyrë idilike dhe të dukshme përpara bregdetit të jugut të Shqipërisë, në një pozicion strategjik në kalimin nga Adriatiku në Detin Jon. Nga plazhi i Vlorës, ai ngrihet mbi ujë si një pulëbardhë gjigante me krahët e hapur. Me rreth pesë kilometra e gjysmë katrorë sipërfaqe, është ishulli më i madh i vendit, por deri në fund të Luftës së Ftohtë, kur shërbente si bazë ushtarake e izoluar rreptësisht, pothuajse asnjë civil nuk kishte shkelur në të.

Sot vizitorët mund të kalojnë nga Vlora për 25 euro. Në një mëngjes të kthjellët qershori, rreth 100 turistë mund të mblidhen në portin e qytetit në disa skafe të shpejta, të cilat pak metra më tej përplasen fort mbi dallgë gjatë një udhëtimi të egër. Pas 30 minutash mbërrin në një mol, pas të cilit shtrihet një plazh me zhavorr të trashë dhe mbetjet e një fortese ushtarake të ruajtur dikur me masa të rrepta: vinça portualë të brejtur nga ndryshku, kontejnerë të dëmtuar, mure të mbushura me grafite.

Në Sazan, dëgjohet nga altoparlanti i varkës si përshëndetje, sovjetikët dikur fshihnin nëndetëset e tyre, ndërsa sot ishulli është një parajsë natyrore me shumë lloje të rralla bimësh, “të cilën më në fund duhet ta njohin të gjithë”. Edhe miliarderët amerikanë.

Me një surprizë të verbër

Një shteg betoni rreth tre metra i gjerë gjarpëron nga moli drejt kodrës, i rrethuar nga pisha, dëllinja, shkurre manaferrash dhe oleandra. Në disa vende është i çarë dhe i mbuluar nga bimësia. Duhet të jetë e dhimbshme të ecësh këmbëzbathur mbi të. Tabelat paralajmërojnë që të mos largohesh nga shtegu; thuhet se pjesë të mëdha të Sazanit janë ende të mbushura me municione të pashpërthyera.

Sipër qëndrojnë si dhëmbë të kalbur skeletet prej guri të shtëpive të banimit, të cilat dikur strehonin rreth 3000 pjesëtarë të ushtrisë. Përveç tyre kishte edhe një kinema, një shkollë dhe një restorant, nëpër muret e të cilave prej kohësh ka depërtuar natyra. Pamja panoramike mbi Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan është madhështore; qetësinë e ndërpresin vetëm herë pas here motorët e zhurmshëm të skafeve.

Sazani është një nga vijat bregdetare më të paprekura dhe më unike që kam parë ndonjëherë”, deklaroi Jared Kushner në një intervistë në vitin 2024. Po atë vit, dhëndri i Donald Trump publikoi në llogarinë e tij në X vizionet e para për ishullin luksoz të së ardhmes: bungalot ngjyrë rëre me fasada tërësisht prej xhami, të futura në shpatet e kodrës si tarraca artificiale të sinterizuara. Në imazhe të tjera shihen një marinë luksoze jahtesh dhe pishina infinity që duket sikur qëndrojnë pezull mbi det.

Gradualisht u bënë të njohura edhe planet paraprake për zonën bregdetare përballë ishullit, rreth fshatit të vogël Zvërnec. Ato përfshijnë, ndër të tjera, vende ankorimi për jahte gjigante, një qendër wellness, një park ujor, një fushë golfi dhe banesa elegante për disa mijëra blerës të pasur.

Vlera e parashikuar e investimit: rreth katër miliardë euro.

Udhëtime të klasit botëror

Se nga do të vijë saktësisht paratë, sa larg kanë shkuar planifikimet dhe cilat prej tyre janë konkretizuar, nuk mund të përcaktohet lehtësisht, siç ndodh shpesh në botën e të pasurve. Në përgjigje të një kërkese të SPIEGEL drejtuar kompanisë së investimeve të Kushnerit, Affinity Partners, u përgjigj një kompani PR, e cila fillimisht theksoi se nuk bëhej fjalë për një projekt të Affinity dhe se Kushner ishte i përfshirë vetëm “si person privat”.

Megjithatë, kompania mundi të citonte Asher Abehsera-n – një partner të vjetër biznesi të Kushnerit – në cilësinë e tij si drejtues i “Sazan Real Estate Development LLC”, me seli në Katar. Abehsera, ndërkohë, përcolli vetëm në mënyrë poetike se ata dëshironin të krijonin “një destinacion të klasit botëror”, i cili do të nderonte “bukurinë natyrore” të vendit dhe do të krijonte vende pune. Për planet përfundimtare, thuhet, do të vendosin “njerëzit e Shqipërisë”.

Këtu hyn në lojë Edi Rama, i cili nuk është vetëm kryeministri i Shqipërisë, por edhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit, organit qeveritar që ka fjalën e fundit për të gjitha investimet e mëdha dhe projektet strategjike të infrastrukturës në vend. Me fjalë të tjera: pa Ramën, nuk ka resort luksoz në bregdet. Aq më pak në Sazan, sepse ky nuk është aspak një “ishull privat” – ai i përket shtetit. Dhe kështu duhet të mbetet.

Rama, dy metra i gjatë dhe poliglot, ishte në dijeni të projektit luksoz të Kushnerit që në fillim. Që në verën e vitit 2021 – kur, sipas Ivanka Trump, çifti amerikan me pushtet po lundronte pranë Sazanit – ai me sa duket u ngjit në bordin e jahtit të tyre. Vetë Kushneri e ka treguar këtë në një intervistë. Rama, nga ana tjetër, i tha Associated Press se kishte biseduar me Kushnerin për planet e tij të investimit në Shqipëri në Forumin Ekonomik Botëror në Davos në vitin 2022. Në verën e vitit 2023, të dy u shfaqën së bashku në Tiranë.

Një zonë unike e mbrojtur natyrore

Në vitin 2024, kur Kushner bëri publike planet e tij, Shqipëria ndryshoi me shpejtësi një ligj për ta bërë shumë më të lehtë ndërtimin e projekteve në zona të ndjeshme të mbrojtura dhe bregdetare. Në dhjetor të po atij viti, vetëm disa javë pas rizgjedhjes së Trumpit, një komitet qeveritar, i kryesuar gjithashtu nga Rama, i dha projektit, në bazë të një tjetër ligji të diskutueshëm, statusin “strategjik” dhe kështu i dha përparësi ndaj investimeve të tjera. Pak më vonë, qeveria dhe investitorët nisën të çonin përpara planet konkrete për resortin luksoz.

Në përgjigje të një kërkese të SPIEGEL, qeveria shqiptare mohoi se e kishte ndryshuar ligjin për shkak të projektit miliardësh të Kushnerit. Për më tepër, sipas saj, rregullimi i ri nuk ishte një ndryshim “që do të kishte ndryshuar në çfarëdo mënyre statusin ligjor të zonave të prekura nga këto projekte”.

Kush e di, ndoshta streha e të pasurve në ishull do të kishte marrë formë relativisht pa zhurmë, nëse Kushner dhe financuesit e tij do të ishin mjaftuar me këtë dhe nuk do t’i kishin kushtuar vëmendje edhe “plazheve të mrekullueshme me rërë të bardhë”. Sepse toka për ndërtim atje, ndryshe nga Sazani, nuk i përket shtetit.

“Përralla e Kolombit”

Në një mbrëmje të nxehtë të së martës, pak para perëndimit të diellit, Petraq Balliu thotë: “Më kujton komunizmin, atëherë edhe toka jonë na u mor thjesht kështu”.

Përveç disa notarëve pranë një kioske të improvizuar prej dërrase, nuk ka njeri askund. Shumë larg në det, Sazani fshihet nën një shtresë resh. Balliu hedh një vështrim drejt tij, fryn me buzë dhe thotë: “Një përrallë të bukur të Kolombit ka treguar Ivanka Trump.”

Balliu, një 61-vjeçar që pi cigare pa pushim dhe me flokë të prerë shkurt, është nënkryetar i një porti hidrokarburesh në qytetin port të Durrësit. Ai nuk e ka kursyer veten dhe ka udhëtuar 120 kilometra për të treguar historinë e tij. Balliu beson se mund të provojë se toka ku qëndron i përket atij dhe vëllezërve e motrave të tij.

Problemi është: këtë e besojnë edhe të tjerë. Sepse toka për të cilën bëhet fjalë është e çmuar. Në çdo aspekt.

Laguna e Nartës, me sipërfaqe pak më shumë se 40 kilometra katrorë, midis fshatrave Zvërnec dhe Pishë Poro, është një prej ekosistemeve bregdetare më të pasura me biodiversitet në Mesdhe. Mijëra flamingo jetojnë atje së bashku me lloje të rrezikuara shpendësh, si pelikani kaçurrel dhe skifteri këmbëkuq. Zona është një strehë për fokën mesdhetare, e cila është bërë e rrallë, ndërsa në dunat përreth breshkat e detit vendosin vezët e tyre. Vjosa, një prej lumenjve të fundit të egër të Evropës, derdhet në Adriatik aty pranë.

“Korrupsion! Korrupsion!”

Deri në vitin 2024, kur Shqipëria ndryshoi ligjin për mbrojtjen e natyrës, ndërtimi në zona të ndjeshme si Laguna e Nartës ishte praktikisht i pamundur. Që prej asaj kohe, toka përreth është bërë jashtëzakonisht e vlefshme edhe për investitorët.

Pyetja është vetëm: kujt i përket në të vërtetë?

Përgjigjja është diskutuar prej dekadash. Duke filluar nga mesi i viteve ’40, komunistët në pushtet në Shqipëri shpronësuan gradualisht pa kompensim një numër të madh pronarësh tokash, edhe në rajonin e Zvërnecit. Pasardhësit e tyre kanë luftuar për më shumë se tre dekada për rikthimin e pronave.

Legjislacioni është i paqartë, kadastra është e paplotë dhe kontradiktore, ndërsa disa dokumente datojnë ende nga koha e sundimit osman. Dhe te drejtësia nuk mund të mbështetesh gjithmonë. Që nga viti 2016, qindra prokurorë dhe gjyqtarë janë detyruar të largohen nga postet e tyre për shkak të dyshimeve për korrupsion./ Përshtati në shqip Alfapress.al

Zjarr Tv Ad