Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në portin e Cattolica-s, në Itali, ku një 45-vjeçar shqiptar dyshohet se ka përfunduar me automjet në ujërat e portit, pas një konflikti me bashkëshorten.
Ngjarja ndodhi të mërkurën, rreth orës 16:00. Sipas raportimeve të mediave italiane, çifti po udhëtonte me një Volkswagen Golf kur mes tyre ka nisur një debat i fortë. Në rrethana që po hetohen, 45-vjeçari, banues në San Giovanni in Marignano, ka drejtuar makinën me shpejtësi drejt bregut, duke përfunduar në det.
Përplasja me ujin bëri që dyert e automjetit të hapeshin dhe të dy, burri dhe gruaja, arritën të dilnin para se makina të fundosej. Persona që ndodheshin pranë portit ndërhynë menjëherë dhe i ndihmuan të dilnin në breg.
Në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës, zjarrfikësit, karabinierët dhe autoritetet e Kapitenerisë së Portit. Gruaja 40-vjeçare, me shtetësi italiane, u transportua në spital në gjendje shoku, por raportohet se nuk ka rrezik për jetën.
Pas marrjes së ndihmës së parë, 45-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes, duke u zhdukur në zonën me shkëmbinj pranë portit. Autoritetet italiane kanë nisur kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Sipas mediave italiane, bëhet fjalë për një person që ishte i njohur më herët nga policia. Vetëm një ditë përpara incidentit, ai ishte arrestuar pas një tjetër konflikti me bashkëshorten dhe dyshohet se kishte kundërshtuar efektivët gjatë ndërhyrjes.






