E mërkurë, Gusht 26, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Shtatori ndez motorët politikë/ Në fokus bashkitë, Kodi Zgjedhor dhe zgjedhjet e...

Shtatori ndez motorët politikë/ Në fokus bashkitë, Kodi Zgjedhor dhe zgjedhjet e 2027

0
12

Pas pushimeve të verës, politika shqiptare pritet të rikthehet në një vjeshtë të ngarkuar me debate dhe vendimmarrje të rëndësishme. Sesioni i ri parlamentar do të nisë më 8 shtator, ndërsa në qendër të diskutimeve do të jenë disa prej reformave që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Një prej çështjeve që pritet të ndezë më shumë debat është riorganizimi territorial. Mazhoranca ka hedhur në diskutim idenë e reduktimit të 61 bashkive aktuale në 46, një propozim që ka hasur kundërshtimin e opozitës dhe që tashmë pritet të marrë formë konkrete përmes diskutimeve në Parlament.

Në të njëjtën kohë, PS dhe opozita do të përballen me një tjetër sfidë: ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Mes pikave që pritet të diskutohen janë mënyra e financimit të partive dhe fushatave, si dhe përdorimi i burimeve dhe strukturave shtetërore gjatë periudhave zgjedhore. Synimi i deklaruar është që ndryshimet të përmbyllen brenda këtij viti.

Pjesë e punës së Kuvendit do të jenë edhe nismat që lidhen me integrimin në Bashkimin Europian dhe përafrimin e ligjeve shqiptare me legjislacionin europian.

Ndërkohë, një tjetër zhvillim i rëndësishëm pritet në Presidencë. Kreu i shtetit duhet të caktojë datën e zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Në bazë të afateve ligjore, votimet mund të zhvillohen në një nga katër datat e mundshme: 18 ose 25 prill, apo 2 ose 9 maj.

Përtej axhendës parlamentare, shtatori pritet të jetë i rëndësishëm edhe për vetë Partinë Socialiste. Lëvizjet që do të ndërmarrë Edi Rama pritet të japin sinjalet e para për mënyrën se si mazhoranca do të organizohet në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2027.

Ndërsa opozita kundërshton nisjen e sesionit më 8 shtator, duke këmbëngulur se Kushtetuta përcakton 7 shtatorin si datën e fillimit, debati politik pritet të rikthehet menjëherë në Kuvend pas përfundimit të sezonit veror.

Zjarr Tv Ad