E mërkurë, Gusht 26, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Të enjten KAS jep vendimin për Bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi: Karrigia...

Të enjten KAS jep vendimin për Bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi: Karrigia e grabitur nuk gëzohet!

0
16

Lefter Maliqi ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, një ditë para se Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) të marrë vendimin përfundimtar lidhur me çështjen e Bashkisë Kuçovë.

Maliqi njofton se seanca do të zhvillohet nesër, më 27 gusht, në orën 11:00, në ambientet e KQZ-së. Ai shprehet se pret që KAS të japë një vendim në përputhje me ligjin e dekriminalizimit, ndërsa ngre akuza ndaj kryetarit të Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari.

Ai e krahason situatën me rastin e ish-kryetarit të Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku, duke pretenduar se edhe në rastin e Kuçovës duhet të zbatohet ligji i dekriminalizimit.

Reagimi: 

Gjyq publik! Njoftim!

Nesër, më 27 gusht, ora 11:00, në KQZ, KAS do të marrë vendimin përfundimtar për çështjen e të dënuarit, të paaftit dhe abuzuesit Hajdari, në krye të Bashkisë së grabitur të Kuçovës.

Megjithëse disa vendime KAS-i i ka marrë të drejta, nuk duhet ta paragjykoj vendimin. Por jam i bindur se do të japin një vendim në kundërshtim me ligjin e dekriminalizimit, ku Hajdari po mbyll mandatin në shkelje flagrante të ligjit. Rasti i tij është i njëjtë me atë të Kajmakut të Bashkisë Vorë, ku mandati i tij si kryetar bashkie u shpall i pavlefshëm.

U bënë pothuajse 4 vjet me ankime, kallëzime e padi kudo: në KQZ, KAS, Kolegjin Zgjedhor, SPAK, GJKKO, Gjykatën Administrative, Gjykatën e Beratit, Gjykatën e Lartë, me disa rikthime: 5 herë në KAS, 4 herë në KQZ, 3 herë në Kolegjin Zgjedhor etj.

Dhe Hajdari, me mbështetje politike, oligarkike, lobime, me taksat e qytetarëve, me ish-Prokurorin e Përgjithshëm si mbrojtës etj., vazhdon detyrën; mbrohet për tenderat korruptivë, për interesat klienteliste të Rilindjes dhe firmave të ndërtimit.

Ftoj përfaqësitë diplomatike të akredituara në Shqipëri, të cilat kanë financuar dhe kanë interes të lartë për shtetin e së drejtës, si dhe organizatat vendase apo të huaja, si OSBE-ODIHR, që monitorojnë zgjedhjet dhe proceset që kanë lidhje me zgjedhjet dhe KQZ-në, të vijnë dhe të vëzhgojnë me vëmendje punën e KAS-it.

Pavarësisht vendimit të nesërm në KAS, ju siguroj se betejën ligjore, morale dhe politike do ta vazhdoj deri në fund.

Bashkinë e grabitur të Kuçovës do ta fitojmë, do t’ua kthejmë qytetarëve dhe do ta kthejmë në një kantier ndërtimi, shembull në vend.

Hajdari, si të bjerë nga detyra, do të përgjigjet dhe, sa të bjerë, të gjithë do ta shohin dhe do të dalin në pah abuzimet dhe zhvatjet. Leku i popullit, herët apo vonë, të del nga hundët!

Karrigia e dhuruar dhe e grabitur nuk gëzohet; pasojat e rënda vijnë pas!

Zjarr Tv Ad