Mbrëmë, në Flumen Park, u zhvillua edicioni i 7-të i “Festës së Këngës Shqiptare”, organizuar nga mjeshtri Gjergj Leka.
Mes artistëve pjesëmarrës ishte edhe Drini Drishti, i cili u ngjit në skenë me këngën “Shqipja dhe Muzika”. Performanca e tij u vlerësua maksimalisht, duke i siguruar Çmimin e Publikut. Trofeu u përcaktua përmes votimit të këngëtarëve pjesëmarrës, artistëve Big dhe publikut, duke e bërë këtë çmim edhe më të veçantë për Drinin.
Ky ishte suksesi i radhës për Drinin, i cili e mbylli këtë mbrëmje me një tjetër trofe dhe emocione të paharrueshme.
Drini ka marrë pjesë në Festivalin e 63-të të Fëmijëve në RTSH me këngën “Dua”, me muzikë dhe tekst të Ismet Drishtit dhe orkestrim të Shpëtim Saraçit.
Pjesë të rrugëtimit të tij artistik, Drini ka edhe motrën e tij Ajrin.
Ajri Drishti është një talent në botën e muzikës. Ajo ishte këtë vit fituese e çmimit të kategorisë “Të Vegjlit” në Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë me këngën “Nuk Kam Ku Luj”. Kënga “Nuk Kam Ku Luj” është me muzikë dhe tekst të Ismet Drishtit dhe orkestrim të Ilir Zogës.
Lidhur me suksesin e dy fëmijëve, gazetari i njohur Ismet Drishti nuk i kursen batutat: “Jam autor i këngës, i muzikës dhe i këngëtarëve…”






