Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar lidhur me zjarret e përhapura në zona të ndryshme të vendit, duke e lidhur situatën me zbatimin e të ashtuquajturës “Paketa e Maleve”.
Përmes një video publike, Lapaj është ndalur veçanërisht te situata në Himarë, ku gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar vatra zjarri, duke ngritur pikëpyetje mbi fatin e sipërfaqeve që, sipas tij, përfshihen në territorin e miratuar për “Paketën e Maleve”.
“Edi Rama, përmes ‘Paketës së Maleve’, po i vë flakën Shqipërisë, nga jugu në veri”, deklaron Lapaj, duke shtuar se sipërfaqet e përfshira në këtë paketë, të cilat sipas tij mund të përfitohen me çmimin simbolik prej 1 euro, rrezikojnë të shndërrohen në zona ndërtimi pas djegies.
“Jeni dëshmitarë se si, në 24 orët e fundit, kurora rrethuese e Himarës është përfshirë nga flakët. Në hartën bashkëngjitur, pjesa e konturuar me vijë të kuqe është e gjithë sipërfaqja e miratuar për ‘Paketën e Maleve’. Në këtë sipërfaqe, e cila po blihet me 1 euro, do të ndërtohet masivisht, nga ata të cilët, pa e kursyer, po i vënë flakën”, shprehet ai.
Lapaj akuzon qeverinë se përmes kësaj politike po krijohen mundësi për përfitime të lidhura me interesa politike, duke e cilësuar procesin si një mënyrë për të shpërndarë pasuri publike.
“Edi Rama po shkatërron atdheun, për të furnizuar me pasuri patronazhistët e vet, të cilët i ka zgjatime për të bërë votë”, vijon Lapaj.
Në këtë kuadër, ai njofton se gjatë javës së ardhshme Lëvizja “Shqipëria Bëhet” do të depozitojë në Kuvend një projektligj që synon të ndalojë ndërtimet në sipërfaqet e prekura nga zjarret.
“Do të depozitojmë në Kuvend projektligjin që ndalon dhënien e lejeve zhvillimore dhe lejeve të ndërtimit në 15 vitet që vijnë, në të gjitha sipërfaqet që digjen në Republikën e Shqipërisë”.






