Një tjetër gomone me lëndë narkotike është sekuestruar gjatë mbrëmjes së sotme në brigjet e Adriatikut, teksa në pranga janë vendosur dy skafistët shqiptarë.
Operacioni është zhvilluar gjatë mbrëmjes, kur patrullat kanë sinjalizuar një gomone të dyshimtë pranë plazhit “Le Cesine” në komunën Vernole.
Kur kuptuan se policia po i ndiqte, dy skafistët kanë shtuar shpejtësinë dhe kur kanë mbërritur në breg, kanë lënë gomonen me gjithë ngarkesën dhe janë larguar në këmbë.
Por, arratisja e tyre nuk zgjati shumë dhe falë opeacioneve të kërkimit nga Guarda di Finanza e Leçes, ata u gjendën të fshehur në zonën e pyllit.
Në gomone u gjendën 294 kg marijuanë dhe 16 kg hashash, vlera e tyre mund të arrinte 3 milionë euro.
Ditën e djeshme policia financiare italiane në bashkëpunim me rojën bregdetare të Barit sekuestruan një gomone me 350 kg lëndë narkotike si edhe arrestuan skafistin 41-vjeçar.



