Një përgjigje negative e Brukselit për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut do rrezikonte rrëzimin e qeverisë në Shkup. Kryeministri Zoran Zaev apelon që kjo të shmanget pasi do të sillte në pushtet forcat nacionaliste dhe euroskeptike. Ndërkaq ai komenton edhe skenarin e vendimit negativ për Shqipërinë dhe rreziqet që kjo mund t’i kanosë rajonit.
Qeveria maqedonase rrezikon të bjerë nëse vendit në fund të muajit nuk i hapen negociatat për anëtërësimin në Bashkimin Europian.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, apeloi zyrtarët europianë se vendimi negativ do ishte në interes të partive opozitare nacionaliste dhe atyre antieuropiane, me ndikim nga Lindja.
Zaev: “Zgjerimi i BE-së kërkon patjetër miratimin e Bundestagut gjerman, i cili pritet të mblidhet më 28 qershor ndërsa shtetet anëtare mund të japin qëndrimet e tyre për brenda gjysmës së dytë të korrikut. Shtyrja e vendimit përtej kësaj periudhe rrezikon që të cenojë shumicën tonë në parlament dhe do rrëzonte qeverinë.”
Gjatë vizitës së tij në Bruksel ku po lobon për integrimin europian, kreu i ekzekutivit maqedonas komentoi edhe mundësinë e hapjes së negociatave vetëm për Maqedoninë dhe jo për Shqipërinë.
Zaev: “Pala gjermane mendon se hapja e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut duke lënë jashtë Shqipërinë, do të shkaktonte probleme që do të reflektoheshin edhe në Kosovë. Ata kanë frikë se miku im Edi Rama do të bëhej më kërcënues, kanë frikë nga ndryshimi i kufijve ose bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. Nuk mendoj se do të ndodhte sepse do e kthente Shqipërinë të paktën një dekadë pas.”
Disa ditë më parë Komisioni Europian publikoi raport pozitiv për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke rekomanduar negociata të pakushtëzuara për aderim për të dy vendet.
Por disa shtete anëtare, si Franca apo Holanda, po hezitojnë në vendimmarrjen e tyre.
Zaev: “Vendimi negativ mund ta rikthejë Maqedoninë e Veriut dhe të gjithë rajonin te nacionalizmi dhe radikalizmi, duke u hapur shtegun palëve të treta si Kina dhe Rusia.”
Kryeministri Zaev më herët ka premtuar fundin e qershorit si datën finale për hapjen e negociatave me BE-në, përndryshe do e çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.




