Arrestohet në Brazil i shumëkërkuari nga drejtësia shqiptare, Ervin Mata. Policia e Shtetit bën të ditur se 39-vjeçari Mata u kap nga autoritetet braziliane në qytetin e IlhaBela të Sao Paolos. Ai kishte në përdorim dokumente identifikimi angleze, të falsifikuara. Mediat braziliane raportojnë se arrestimi i tij u krye te shtunën në një lokal nga policia federale dhe ajo ushtarake, sipas një urdhëri të lëshuar qe nga shtatori i vitit të kaluar. Ndonëse nuk bëri ndonjë rezistencë, ai tentoi të paraqitej si shtetas paraguajan.
Mata, sipas policisë, akuzohet se koordinoi pjesëtarët e grupit kriminal ku bënte pjesë për trafikimin e 240 kilogramëve kokainë në shtator të vitit 2020 nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Sipas hetimeve, grupi akuzohet gjithashtu për pastrim parash dhe sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjeve.
Emri i Ervin Matës doli dhe në ngjarjen e ndodhur në vitin 2018 në ish Bllok, ku pas një sherri mes disa personave, në mesin e te cilëve ishte dhe Ervis Martinaj, mbeti i vrarë Fabian Gaxha. Policia shqiptare bën ditur se po bashkëpunon me Interpolin në Brazil, me qëllim ekstradimin e Matajt në vendin tonë.




