E mërkurë, Prill 1, 2026
Ballina Aktualitet De Biasi: Gati t’i rikthehem aventurës sime me Shqipërinë

De Biasi: Gati t’i rikthehem aventurës sime me Shqipërinë

0
39

Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ka folur për situatën aktuale të ekipit kuqezi dhe mundësinë e një rikthimi të tij, gjatë një interviste në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN.

De Biasi u shpreh se Shqipëria e sotme ka më shumë potencial krahasuar me periudhën kur ai u largua në vitin 2017, duke theksuar se skuadra ka në përbërje lojtarë cilësorë dhe të rinj që aktivizohen në kampionate të ndryshme.

Sot Shqipëria nuk është në ato kushte që e lashë unë në 2017-ën, por është një skuadër me perspektiva më të larta, sepse ka shumë lojtarë të mirë që janë pjesë e skuadrave bazë, si dhe të rinj që luajnë jashtë dhe mund të kontribuojnë për ta rritur më tej ekipin,” u shpreh ai.

Sipas tij, kombëtarja ka nevojë për një trajner të aftë, me pasion dhe lidhje të fortë emocionale me ekipin: “Duhet një trajner që e ndien Shqipërinë si gjënë më të madhe që ka në duar dhe di ta menaxhojë atë. Kjo është thelbësore për të ardhmen e skuadrës.”

I pyetur nëse do të rikthehej sërish në krye të pankinës kuqezi, italiani tha se është i gatshëm të rikthehet, ndonëse nuk specfikoi, si trajner apo në një rol tjetër.

Është një pyetje e vështirë. Ndonjëherë mendoj pse u largova në atë kohë, sepse mund të kisha vazhduar. Sot nuk e di nëse si trajner, por do më pëlqente të rikthehesha dhe të jepja një kontribut për Presidentin, për ta çuar më tej skuadrën tonë”, tha De Biasi, raporton A2CNN. 

Në fund, ai komentoi edhe trajnerin aktual, Sylvinho, duke e mbrojtur nga kritikat pas dështimit për kualifikim në Botëror. “Silvinjo nuk është për t’u kritikuar, mundet vetëm të qajë për rezultatin që nuk është arritur. Nuk varej prej tij, pasi kishte zgjedhur skuadrën më të mirë që mendonte në atë moment”, tha tekniku italian.

Zjarr Tv Ad