KLGJ me shumicë votash nuk pranoi nisjen e procedurave për verifikimin e gjyqtares Irena Gjoka, pas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme se nuk kishte deklaruar në formular një dënim në vitin 2005 në Greqi për falsifikim vize. Shumica e anëtarëve thonë se çështja duhet t’i kalojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Për rrjedhojë, nuk u ngrit komisioni që do të merrte në shqyrtim dokumentacionin, dhe do të niste procesin e verifikimit.
Vetë Gjoka në një letër drejtuar KLGJ-së argumenton se nuk ka asnjë arsye ligjore për ndërprerjen e mandatit të saj si gjyqtare. Gjoka argumenton se s’ka kryer asnjë shkelje për faktin që nuk e ka deklaruar dënimin, pasi ajo shpjegon se vetëm i është refuzuar, pa shpjegime, hyrja në territorin grek, ndërsa nuk ka pasur dijeni as për procesin dhe as për vendimin gjyqësor, i cili, sipas vetë ligjeve greke, është arkivuar dhe asnjëherë nuk ka marrë vendim të formës së prerë.




