DW analizon protestat: Pse kërkohet “burg” për Ramën dhe Berishën, që kanë drejtuar vendin për 21 viet e fundit

Share

Artikulli i Deutsche Welle

Më 17 tetor 2026, studentë në Tiranë i vunë flakën një valixheje udhëtimi dhe e hodhën atë në oborrin e Ministrisë së Arsimit. Mesazhi ishte i qartë për të gjithë: Shqipëria po humbet njerëzit e saj. Sipas të dhënave të censusit të vitit 2023, popullsia e vendit është zvogëluar me rreth 420 mijë banorë që nga viti 2011, ose gati 15 për qind. Shkaku kryesor është emigracioni.

Për një brez të tërë të rinjsh shqiptarë, largimi nga vendi ka qenë përgjigjja ndaj një sistemi që u ofronte pak mundësi për të ndikuar në të ardhmen e tyre. Por këtë herë protestuesit po japin një mesazh tjetër: ata duan të qëndrojnë. Është sistemi ai që duhet të ndryshojë.

Protestat, të cilat në Shqipëri janë pagëzuar si “Revolucioni i Flamingove“, kanë nisur në maj të vitit 2026. Ato filluan si kundërshtim ndaj projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në një zonë të mbrojtur natyrore në bregdet, ku janë të përfshirë Ivanka Trump, vajza e presidentit amerikan Donald Trump, dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner. Por shumë shpejt, lëvizja u shndërrua në një protestë më të gjerë kundër korrupsionit, qeverisë së kryeministrit Edi Rama, Partisë Socialiste dhe gjithë klasës politike në vend.

Përshkallëzimi pas katër muajsh protestash

Për më shumë se katër muaj, mijëra qytetarë kanë protestuar thuajse çdo mbrëmje, kryesisht në mënyrë paqësore. Por më 13 tetor, një protestë studentore u përshkallëzua. Që prej asaj dite, janë regjistruar përplasje të përsëritura mes protestuesve dhe policisë, e cila ka përdorur gaz lotsjellës, ujëhedhës dhe plumba gome. Qindra persona janë arrestuar, shumë të tjerë janë plagosur, ndërsa janë shkaktuar dëme në pronën publike dhe private.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës, krijimin e një qeverie tranzitore, reformimin e sistemit zgjedhor dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Lëvizja nuk ka një udhëheqës të vetëm dhe mbështetet nga qytetarë me bindje të ndryshme politike. Kryeministri Rama i ka cilësuar protestat si “vepër të një fuqie të jashtme“. Është e mundur që aktorë të jashtëm të jenë përpjekur t’i shfrytëzojnë politikisht trazirat në internet, por deri tani ka pak prova se ata po e drejtojnë lëvizjen.

Një lëvizje proteste e vendosur

Ajo që i motivon protestuesit janë kryesisht problemet e brendshme: një demokraci në të cilën nuk ndihen të përfaqësuar, korrupsioni, kostoja e lartë e jetesës dhe pagat e ulëta.

Këto pakënaqësi nuk janë të reja, por kohët e fundit janë ndërthurur disa zhvillime: hetime dhe akuza për korrupsion në nivelet më të larta të pushtetit, përfshirë ministra dhe dy ish-zëvendëskryeministra, rritja e çmimeve dhe një brez i ri që e mat Shqipërinë me standardet e Bashkimit Evropian.

Që prej ardhjes në pushtet në vitin 2013, Edi Rama ka ndryshuar Shqipërinë në disa drejtime. Ekonomia është rritur ndjeshëm, siç thekson edhe qeveria, ndërsa turizmi po përjeton një bum.

Por përfitimet e këtij zhvillimi janë shpërndarë në mënyrë të pabarabartë. Kritikët e akuzojnë qeverinë Rama se, përmes projekteve të mëdha infrastrukturore dhe partneriteteve publike-private, ka përqendruar një pjesë të konsiderueshme të parave publike te një numër i kufizuar kompanish me lidhje të afërta me pushtetin. Disa prej këtyre marrëveshjeve janë shoqëruar me dyshime për korrupsion, ndërsa sektorë si shëndetësia dhe arsimi mbeten të nënfinancuar dhe perspektivat ekonomike për shumicën e qytetarëve janë të kufizuara.

Rama i ka hedhur poshtë kërkesat për dorëheqje dhe ka ofruar dialog me protestuesit. Por këta të fundit e refuzojnë një mundësi të tillë. Mbetet e paqartë nëse kryeministri do të jetë ende në gjendje të qeverisë në mënyrë efektive përballë një lëvizjeje proteste gjithnjë e më të vendosur.

Një sistem politik i mbyllur

Në vitin 2008, Edi Rama dhe Sali Berisha, atëherë dhe sot figura qendrore të dy partive kryesore politike, ranë dakord për ndryshime në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor.

Që prej asaj kohe, drejtuesit e partive kanë fituar një ndikim vendimtar në përzgjedhjen e deputetëve që hyjnë në Parlament. Kjo ka dobësuar lidhjen mes përfaqësuesve politikë dhe zgjedhësve të tyre. Njëkohësisht, është bërë dukshëm më e vështirë për partitë e reja që të sigurojnë përfaqësim parlamentar.

Në zgjedhjet e vitit 2025, një parti e re mori rreth 64 mijë vota, por arriti të sigurojë vetëm një mandat deputeti. Në të kundërt, socialistëve u mjaftuan mesatarisht rreth 10 mijë vota për një mandat.

Rama është në krye të Partisë Socialiste që prej vitit 2005, ndërsa Berisha e drejtoi Partinë Demokratike për herë të parë në vitin 1991. Prej 21 vitesh, posti i kryeministrit në Shqipëri është mbajtur vetëm nga njëri prej këtyre dy politikanëve.

Organizata ndërkombëtare Freedom House, e cila monitoron gjendjen e demokracisë dhe lirive politike në botë, e klasifikon Shqipërinë si vend „pjesërisht të lirë“. Në raportet e saj, ajo i përshkruan partitë politike shqiptare si struktura të organizuara rreth figurave të forta drejtuese.

Në rrugë, studentët kërkojnë që të dy politikanët të përfundojnë „në burg“. Rama, nga ana e tij, këmbëngul se qeveritë ndërrohen përmes votës dhe jo përmes protestave në rrugë.

OSBE-ja, në vlerësimin e saj për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, konstatoi se kishte konkurrencë të mirëfilltë politike, por evidentoi gjithashtu pabarazi në garë dhe keqpërdorim të burimeve shtetërore nga partia në pushtet. Demokratët i cilësuan zgjedhjet si të manipuluara dhe folën për intimidim të votuesve. Pjesëmarrja në votime ishte nën 45 për qind, edhe për shkak të apatisë së shumë zgjedhësve dhe emigracionit të lartë.

Të qëndrosh në Shqipëri si akt politik

Edhe në ekonomi, sipas shumë protestuesve, afërsia me pushtetin përcakton se kush përfiton nga tenderët publikë, koncesionet dhe investimet strategjike të miratuara me procedura të përshpejtuara. Përmes këtyre mekanizmave, toka dhe prona publike u vihen në dispozicion investitorëve privatë, përfshirë edhe zona bregdetare dhe territore të mbrojtura.

Pasojat e këtij sistemi ndihen drejtpërdrejt në jetën e përditshme të shumë shqiptarëve. Sipas Institutit të Statistikave INSTAT, gjysma e të punësuarve në Shqipëri merr një pagë neto më të ulët se rreth 60 mijë lekë në muaj, afërsisht 620 euro.

Megjithatë, sipas të dhënave të Eurostatit, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë pak më të larta se mesatarja e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, çmimet e pronave në Tiranë janë pothuajse dyfishuar që prej vitit 2018, ndërsa edhe qiratë janë rritur me ritme të ngjashme.

Për vite me radhë, shumë të rinj shqiptarë që nuk shihnin perspektivë në vend zgjidhnin emigracionin. Numri i shtetasve shqiptarë që jetojnë në Gjermani është më shumë se dyfishuar mes viteve 2018 dhe 2024, duke arritur në gati 120 mijë.

Ende nuk mund të thuhet nëse protestat e tanishme do të ndikojnë realisht në uljen e emigracionit të të rinjve. Por për shumë prej atyre që janë sot në sheshe, vendimi për të qëndruar në Shqipëri është shndërruar në një deklaratë politike.

Çështja e integrimit në BE

Rama argumenton se dorëheqja e tij do të rrezikonte procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, të cilin vendi synon ta përmbyllë deri në vitin 2030.

Por shumica dërrmuese e shqiptarëve janë pro integrimit evropian. Kjo vlen edhe për protestuesit dhe opozitën. Sipas tyre, pengesa kryesore në rrugën drejt BE-së nuk është protesta apo kriza politike, por pikërisht sistemi që qëndron pas pushtetit të Ramës.

Aktualisht, në disa vende të Evropës po zhvillohen protesta të shumta. Megjithatë, krahasimi më i natyrshëm për Shqipërinë është Serbia, ku një lëvizje e udhëhequr nga studentët arriti së fundmi të rrëzojë nga pushteti një udhëheqës që kishte qëndruar për një kohë të gjatë në krye të vendit.

Nëse Shqipëria do të ndjekë të njëjtën rrugë, kjo do të varet edhe nga aftësia e të rinjve, të cilët deri më tani kanë qëndruar larg politikës, për ta shndërruar protestën në mbështetje konkrete në kutitë e votimit.

Një gjë është e sigurt: për tri dekada, drejtuesit politikë të Shqipërisë janë mbështetur te valixhet e qytetarëve që largoheshin nga vendi. Tani studentët shqiptarë i kanë vënë flakën pikërisht atyre valixheve./ Përshtati në shqip Alfapress.al

Read more

Local News