Roma është dorëzuar përballë ukrainasve të Shakhtar Donetsk në takimin e parë të 1/8-ave të finaleve të Champions League, edhe pse u duk se transferta do të fliste me nota pozitive për verdhekuqtë. Italianët kaluan të parët në avantazh në fundin e pjesës së parë, falë një goli të turkut Under, por ukrainasit nga Donetsku do të përmbysnin rezultatin në pjesën e dytë, me autorë golash Ferreyra dhe Fred, ndonëse krijuan shumë raste të pastra për ta thelluar edhe më tej rezultatin, por nuk ia dolën dot përballë mrekullive të portierit roman, Alisson. Megjithatë, goli i shënuar në fushë kundërshtare i mban ende të hapura shpresat e Romës për një kualifikim të mundshëm në çerekfinalet e Championsit, por për këtë do të duhet të vuajnë disi në “Olimpico” të kryeqytetit italian, kur të luhet ndeshja e kthimit pas dy javësh.
Rama i quan “zogjtë e korbit”, opozita largohet nga salla
Teksa kryeministri Edi Rama po fliste për ndihmën ekonomike në foltoren e Kuvendit, kreu i PD-së, dhe deputetët e opozitës i janë afruar foltores duke i kërkuar llogari Ramës për gjuhën e përdorur, duke i quajtur “zogjtë e korbave”. “Tritan, ne nuk krahasohemi me kohën e zogut po përballë zogjve të kjohës që jeni ju dhe fluturoni si korbat mbi çdo gropë që hapët duke kërkuar llogari prej nesh. Urdhëro, vazhdoni fluturoni, po ta mësojnë njerëzit se ju jepnit 38 mln dollarë për ndihmën ekonomike, ne japim 48 mln dollarë. Subvencioni juaj për energjniinë, ujin librat e kështu me radhë ishte minimal”, tha Rama në fjalën e tij. Kaq mjaftoi dhe për pak sekonda deputetët e opozitës iu afruan foltores. Pas tërheqjes së vëmendjes nga kryetari i Kuvendit, deputetët e opozitës u larguan. “Si të gjitha reformat që tentuat po nuk i bëtë kurrë, kjo është një reformë që nisi në qershor të 2014 duke u pilotuar në tre qarqe, Elbasan, Tiranë dhe Durrës ku nga procesi i pilotimit dhe zbatimi i kësaj skeme rezultuan as më shumë e as më pak po 19.700 deklarime të rreme, subjekte abuzive që merrnin ndihmën ekonomike nga ju dhe që nuk meritonin ta kishin”, tha Rama. Pas fjalës së kryeministrit, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi mbylli seancën.
Basha inkurajon gazetarët për protesta, pas atyre që janë shtrirë në mbarë vendin
Kryetari i PD, Lulzim Basha tha se kryeministri Rama po sulmon opozitën për të fshehur të vërtetën në lidhje me heqjen padrejtësisht të ndihmës ekonomike për familjet në nevojë. Basha: Sot Edi Rama u tregua që është i pandjeshëm nuk ka asnjë ndjenjë dhemshurie për qytetarët që gjenden me sytë nga qielli. Edi Rama është njeri i cili e ka faktuar se zgjedh të sulmojë opozitën me të vetmin qëllim për të fshehur të vërtetën dhe përgjegjësinë që ka karshi këtyre njerëzve. Kjo është një alibi e shëmtuar dhe e papranueshme për të lënë pa bukë dhe mijëra familje. Kjo është përgjegjësia e Ramës dhe ne do bëjmë gjithcka, sikurse do luftojmë që kjo emergjencë të marrë fund. I pyetur për protestën e radhës Basha tha: Protestat janë të vazhdueshme dhe janë të shtrira kudo, sot patë dy protesta këtu para parlamentit. Kur do ta bëni ju protestën e radhës për poshtërimin dhe shkeljen e të drejtave tuaja, ju sigurojmë që kurdo që ta bëni ne do të na keni në krah.
Ronaldinho tregon shoqen e radhës
Ish futbollisti i famshëm brazilian, Ronaldinho Gaucho duket se prej kohësh është në një lidhje me modelen Ania Gadea. Braziliani dhe 27-vjeçarja u fotografuan verën e kaluar së bashku, ndërsa mediet braziliane konfirmojnë se mes çiftit ka tashmë një marrëdhënie të konsoliduar. Ndonëse asnjë nga të dy nuk ka folur zyrtarisht për lidhjen, në Brazil pretendojnë se çifti duket në rrugë të mbarë drejt martesës. Ania Gadea është një modele nga Peruja, që u bë e famshme kur pozoi për revistën Play Boy, në moshën 21-vjeçare.
Sulmohet Ambasada e SHBA në Malin e Zi, agresori hedh veten në erë
Një shpërthim ka ndodhur në ambasadën amerikanë në Mal të Zi. Lajmi është bërë publik nga qeveria malazeze e cila në një postim në tëitter sqaron se një person i panjohur bëri vetëvrasje me një pajisje shpërthyese. “Një person i panjohur bëri vetëvrasje me një pajisje shpërthyese. Para kësaj, ai person hodhi një pajisje shpërthyese nga kryqëzimi pranë Qendrës së Sporteve në ambasadën e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në njoftimin e qeverisë. Sulmi ndodhi pak pas mesnatës rreth orës 00:30 dhe nuk dihet se çfarë motive ka ky sulm. Qeveria tha se pajisja e hedhur në ambasadë dyshphet të ketë qenë granatë dore dhe se hetimet janë në proces. Ambasada i paralajmëroi shtetasit amerikanë që të qëndrojnë larg deri në njoftimin e radhës. “Ambasada e SHBA-së në Podgoricë i paralajmëron shtetasit amerikanë për një situatë aktive të sigurisë në ambasadën në Podgoricë. Shmangeni ambasadën deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e publikuar. Ndërkohë Steve Goldstein, nën sekretari për diplomacinë publike dhe çështjet publike, tha se askush në ambasadë nuk u plagos. Një roje në një qendër sportive aty pranë tha për agjencinë e lajmeve AFP se ai “dëgjoi dy shpërthime, njëra pas tjetrës”. Ai shtoi: “Policia erdhi shumë shpejt dhe trupi i një burri u hoq”. Autoritetet janë duke punuar për të zbardhur ngjarjen.
Rritet korrupsioni në Shqipëri
Raporti i organizatës Transparency International, mbi shkallën e korrupsionit në botë e ka radhitur Shqipërinë në vendin e 91-të, duke shënuar përkeqësim të gjendjes në krahasim me një vit më herët kur vendi ynë radhitej në vendin e 83-të. Kosova kësaj radhe radhitet e 85-ta, me gjithsej 39 pikë, duke shënuar përparim krahasuar me një vit më parë kur ajo radhitej e 95-ta me 36 pikë. Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka shënuar përparim. Bosnje e Hercegovina një vit më parë ishte në vendin e 83-të, ndërsa sivjet radhitet në vendin e 91-të. Ndërsa Mali i Zi mbetet në vendin e 64-të njësoj sikurse edhe një vit më parë, Serbia ka rënë nga vendi i 72-të në vendin e 77-të. Më keq në rajon radhitet Maqedonia e cila nga vendi i 90-të ka rënë në vendin e 107-të. Raporti që përfshinë 180 vende të botës përdorë një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zero tregon për një vend shumë të korruptuar. Zelanda e Re, Danimarka dhe Finlanda janë vendet më të pastra sa i përket korrupsionit, ndërsa në fund të listës radhiten Somalia, Sudani Jugor dhe Siria. Organizata vlerëson se në gjashtë vitet e fundit shumë vende kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit.
Kosovë, demarkacioni në rend dite
Ka filluar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Në marrëveshjen e nënshkruar mes presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi, që i është bashkangjitur projektligjit, nënvizohet se pas ratifikimit të demarkacionit në kuvend, të dyja vendet do të rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime. Marrëveshja për demarkacionin mbështetet edhe nga LDK në opozitë, sipas të cilës, kundërshtimi i deritanishëm ka qenë thjeshtë një humbje e dëmshme kohe. Marrëveshja mbështetet po ashtu nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, por jo nga Lëvizja Vetëvendosje. Lista Srpska nuk ka ende një qëndrim të prerë për votimin në Parlament.
Trump kërkon armatosjen e mësuesve për të parandaluar sulmet në shkolla
Të mbijetuar dhe prindër të viktimave të masakrës në Shkollën e Florida, janë takuar me presientin amerikan Trump në Shtëpinë e Bardhë. Ky i fundit ka premtuar veprime të menjëhershme për të parandaluar tragjedi të tilla. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë takimit në shtëpinë e bardhë me studentët e mbijetuar të masakrës në shkollën e Parkland, është shprehur se mund të vendosë të armatosë mësuesit dhe stafin shkollor. Kreu i shtëpisë së Bardhë u shpreh se do e merrte në konsideratë këtë ide që iu dha nga njëri prej të pranishmëve. Disa nga prindërit e viktimave u shprehën se një person i cili nuk ka mbushir moshën as për të blerë pije alkolike, nuk mund të blejë armë dhe se qeveria duhej të merrte masat menjëherë para se të vriten student të tjerë. Pamjet e takimit janë transmetuar nga televizione të ndryshme amerikane ndërkohë me mijëra të rinj në Florida dhe Uashington kanë lënë klasat për të protestuar kundër armëve. Presidenti Trump nga ana e tij premtoi se do të dëgjinte këdo dhe do të merrte masa. Ai premtoi se do të punohet për kontrollin dhe verifikimin e biografisë të cilitdo që kërkon të blejë armë, por dhe atyre që kanë tashmë një apo më shumë të tilla. Gjithashtu Trump tha se mund të ketë një ndryshim për moshën minimale për të pasur armë dhe premtoi reagim të menjëhershëm duke akuzuar paraardhësit e tij se nuk kishin bërë aq sa duhej. Autori i masakrës në shkollën në Florida që vrau 17 persona nuk duhej t ë kishte pasur armë zjarri. Deklarata u bë nga Dana Loesh zëdhënësja e NRA-së lobi i fuqishëm amerikan i armëve. Ajo mori pjesë në një takim me të mbijetuarit dhe prindër, takim që u transmeua nga CNN. Ajo e cilësoi vrasësin si një përbindëshduke thënë se njerëzit e çmendur dhe të rrezikshëm nuk duhet të kenë armë. Pas masakrës së Shën Valentinos sherifi i kontesë në Florida urdhëroi që një staf i autorizuar do të ketë armë në territorin e shkollës. Ai sqaroi se armët do të mbahen në automjetet e patrullimit deri sa të krijohen vende të posacme për mbajtjen e tyre Brenda ambienteve të shkollës.
Denoncimi, Berisha: në farmaci nuk ka hollues gjaku për personat me valvul ne zemër
Ish-kryeministri Sali Berisha si mjek në profesion sot në Kuvend ka bërë një denoncim, që i ka ardhur nga një banor i Shkozetit. Ai thotë se prej 5 muajsh në farmacitë e vendit nuk ka ilaç për hollimin e gjakut për ata persona që kanë valvul në zemër.Berisha: Çdo emergjencë është një procedurë dhe unë vij këtu për të denoncuar pashpitësinë, papërgjegjsmëtrinë në emër të qytetarëve të cilët kanë vendosur valva ne zemër dhe prej 5 muajsh nuk gjenjnë sintrom në treg. Zoti Ruçi kjo është absolutisht në 80-90% baraz vdekje. Valvula nese nuk merr holluesin e gjakut krijon ndroçkat që e çojnë drejt vdekjes të sëmurin. “Jam Xhevahir Bushati banues në lagjen 14 Shkozet, thuaj asaj ndrikullës që recitoi përpara se ka 5 muaj që nuk sintrom në farmacitë e vendit”, lexoi mesazhin Berisha. Nuk ka më katastrofë, se këta që luajnë me diamantë si puna e këtij që foli para meje këta e kanë rozë këtë botë, por këta që vdesin për valvula se skanë sintrom për të marrë këta ekanë ferr këtë botë.
Punëtorët e bypass-it Fier-Vlorë protestë para Kuvendit, Basha sulmon Gjiknurin dhe Ramën
Kreu i PD-së Lulzim Basha dhe deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj i janë bashkuar protestës së punëtoreve të Bypassit të Fierit, ndërsa po shkonin në seancën plenare të Kuvendit. Punonjësit i kanë kërkuar Bashës që të ngrejë zërin për ta në Kuvend. Kreu i PD –së, ka thënë se e njeh mirë problemin e tyre dhe shkak që nuk marrin pagat është korrupsioni që sipas tij, mban firmën e kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri. “Mosmarrja e parave është pasojë e korrupsionit. Firma kontraktore ka lënë një garanci në shtetin shqiptar dhe kjo garanci mjafton për të paguar detyrimet pas largimit të kësaj firme mashtruese. Sipas informacionit tonë pagesa nuk kryhet sepse ka korrupsion qeveritar dhe kryeministror. Janë me dhjetra telefonata midis zyrës së kryemiministrit dhe zyrtarëve më afër kryeministrit dhe ish kontraktorit të cilat fshehin një aferë të pistë korruptive. Rama dhe Gjiknuri janë përfshirë në një aferë korruptive për t’i marrë lekët për veten e tyre”, u ka dhënë Basha punonjësve.








