Anxhela Martini është një nga modelet shqiptare e cila dallohet per ekspozimin e formave trupore, pasi shpesh poston foto në të cilat shfaqet thuajse e zhveshur. Por në fotot e saj Anxhela, tashmë që është martuar, poston shpesh edhe bashkëshortin e saj, me të cilin u martua pak muaj më parë. Këtë herë Anxhela ka vendosur të postojë një foto nga shtrati, ku shfaqet gjysmë e zhveshur në krahët e Dragos. Kjo ishte mënyra që zgjodhi modelja për të uruar fansat e saj në ditën e të dashuruarve.
Por ndryshe nga Anxhela, bashkëshorti i saj, zgjodhi që Shën Valentinin ta urojë duke postuar një foto profesionale të modeles, krah së cilës ka shkruar: “Iu uroj një Shën Valentin të lumtur”, si një mënyrë për të treguar se lumturia për të është pikërisht bukuroshja shqiptare.
Anxhela Martini poston foto nudo nga shtrati
Klosi anulon lejen mjedisore dy HEC-eve që do ndërtoheshin në OSUM
Ministria e Mjedisit anulon lejen mjedisore për ndërtimin e dy HEC-eve në lumin e Osumit, duke shpallur të pavlefshme vendimin e mëparshëm të Agjencisë së Mjedisit që lejonte ndërtimin e dy HEC-eve Bigas 1 dhe Bigas 2. Vendimi erdhi vetëm pak ditë pasi Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi dhe më pas edhe kryeministri Rama deklaruan se nuk do të lejonin ndërtimin e Hidrocentraleve në kanionet e Osumit. Vendimi i anulimit është firmosur sot ku Agjensia Kombëtare e Mjedisit ka argumentuar se ka vërejtur shkelje në kontratë, duke e shpallur lejen e mëparshme të pavlefshme për shkak se i ka tejkaluar afati. Pas anullimit të lejes mjedisore i takon Ministrisë së Energjetikës të anulojë marrëveshjen koncesionare për projektin e dy HEC-eve. Ministri Gjiknuri deklaroi gjithashtu se do ta anulonte marrëveshjen nëse Agjensia e Mjedisit anullonte lejen. Koncesioni për ndërtimin e dy Hidrocentraleve mbi lumin Osum është dhënë në prill të vitit 2013.
Lëvizje në polici
Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu do të ketë zëvendës një femër. Aida Hajnaj emërohet si nëndrejtore e Policisë së Shtetit. Lëvizjet e reja janë prezantuar nga vetë kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Sipas policisë, drejtori Veliu u shpreh se këto lëvizje janë kryer si nevojë e domosdoshme për një ritëm të ri në përmbushjen e prioriteteve të reja dhe madhore që tashmë ka Policia e Shtetit. “Veliu ka falënderuar drejtuesit e liruar nga detyrat që mbanin për kontributin e dhënë, si dhe u ka kërkuar të emëruarve te rinj përkushtim, angazhim dhe seriozitet në detyrën që do kryejnë, për të përmbushur objektivat e përcaktuara nga Qeveria dhe Ministria e Brendshme“, thuhet në njoftim.
Emërimet:
• Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, deri tani Zvdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, emërohet Drejtor, në Drejtorinë e Menaxhimit të Informacionit dhe Mbrojtjes së të Dhënave, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe i jepet grada Drejtues i Parë.
• Drejtues i Lartë Aida Veizaj (Hajnaj), deri tani Drejtor i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, emërohet Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
• Drejtues i Parë Gjovalin Loka, deri tani Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, emërohet Drejtor i Departamentit, në Departamentin për Sigurinë Publike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dhe i jepet grada Drejtues i Lartë.
• Drejtues i Parë Theodhori Gravani, deri tani Drejtor i Drejtorisë për Logjistikën, emërohet Drejtor i Departamentit, në Departamentin për Shërbimet Mbështetëse, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dhe i jepet grada Drejtues i Lartë.
• Drejtues i Parë Shaban Nexhi, deri tani Drejtor, në Drejtorinë e Menaxhimit të Informacionit dhe Mbrojtjes së të Dhënave, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, emërohet Drejtor i Drejtorisë se Migracionit në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin.
• Drejtues Enkeleida Toska, deri tani Drejtor i Drejtorisë se Migracionit në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin, emërohet Drejtor i Drejtorisë se Kufirit dhe Migracionit Tiranë
• Drejtues Andi Likaj, deri tani Shef Sektori i Europolit, emërohet Shef Sektori, në Sektorin (Zyra) Qendrore Kombëtare, INTERPOL.
• K/Komisar Shkelzen Rexhepi, deri tani specialist në Sektorin e Interpolit, emërohet Shef Sektori, në Sektorin (Zyra) Kombëtare Europol.
27 vjeçarja ndërron jetë gjatë transportit me ambulancë për në Tiranë
Një 27 vjeçare ka ndërruar jetë teksa po transportohej me ambulancë në drejtim të Tiranës. Elsa Skënderi u paraqit rreth orës 17:00 të pasdites së shkuar në spitalin e Sarandës nën dyshimet se ovedovëz, që e kishte çuar atë në vdekje klinike. Pasi u soll në jetë në ranimacion, u mbajt 4 orë nën kontrollin e mjekëve të këtij qyteti. Duke parë gjendjen e rëndë edhe pse disi e përmirësuar, mjekët e Sarandës vendosen dërgimin e saj me autoambulancë drejt Tiranes për mjekim më të specializuar. Por, fatkeqësisht, e reja ka ndërruar jetë në afërsi të Fierit. Autopsia pritet të përcaktojë shkaqet reale te vdekjes, ndërkohë që dyshimet e forta janë për overdozë. Burimet policore bëjnë te ditur se ajo njihej si përdoruese e lëndëve narkotike.
Koni kërkon ndihmë nga Prokuroria për Kulen, ky i fundit i kërkon dorëheqjen
Një ditë pas takimit me kryeministrin, Edi Rama, rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, kërkon zhbllokim të situatës dhe nisje të hetimeve në institucionin e arsimit të lartë. Rektori i bën apel kryeprokurores t’i shtrijë hetimet në këtë universitet që nga viti 2008.
Bllokimi i punës në universitet për rektorin është i qëllimshëm dhe për këtë, Koni akuzon stafin e ngushtë të parardhësit të tij, Dhori Kule. Pas rreth tre orësh, Kule dhe tre dekanë të tjerë deklaruan se rektori ka ndërhyrë në kompetencën e bordit dhe administratorit.
Përmes një letre, ato i kërkojnë ministres së Arsimit të fillojë procedurat për shkarkimin e rektorit të Universitetit të Tiranës. “Rektori Koni është përpjekur të kryejë në mënyrë të paligjshme funksione administrative. Një situatë shqetësuese firmos kontrata tenderash, gjë që ja kemi bërë prezent që nuk janë tuajat. Këtë prezencë e ka verifikuar edhe organet përkatëse. Ministria e Financave nuk ka aktet dhe kontratat që ai ka fimosur sepse janë të paligjshme me firmën e tij. Pra është futur në kompetenca të të tjerëve. Këtë situatë nuk e kemi bërë publike sepse kemi parë interesat e universitetit”. Përplasjet mes rektorit dhe dekaneve, sipas pedagogëve të Forumit për Liri Akademike, vijnë pikërisht prej ligjit për arsimin e lartë. Ndryshimi apo zbatimi i tij ndan në qëndrime akademikët. Rektori dhe stafet akademike deklarojnë që ligji iu jep autonomi të kushtëzuar universiteteve, ndërsa dekanet presin vënien në zbatim të tij.
Zv. kryeministri seks me vartësen e tij, Australia ndalon marrëdhëniet në administratë
Lidhja dashurore e zëvendëskryeministrit të Australisë, Barnaby Joice me këshilltaren për mediat, Vikki Campion, ka zënë faqet e para të medieve australiane dhe të gjithë dënojnë veprimin e zyrtarit të lartë. Vetë kryeministri Malcolm Turnbull tha se do të ndalojë seksin mes ministrave dhe stafit të tyre, pikërisht pasi u mor vesh se çfarë bënte zëvendësi i tij. Turnbull e dënoi mjaft ashpër zëvendësin e tij për gabimin e rëndë në gjykim dhe tha se atij i është dhënë leje, ndërsa vlerësohet nëse shkeli standardet ministrore. Nuk ka një rregull të shkruar që të thotë se ministrat dhe anëtarët e stafit nuk mund të bëjnë seks, por sipas kryeministrit Turnbull, kjo është logjike, sepse ministrat janë përgjegjës që vendi i punës të jetë një ambient me respekt. Zëvendëskryeministri Joyce është i ndarë nga gruaja e tij dhe kritikat për të vijnë në kuadrin e moralit në punë. Megjithëse ai kërkoi publikisht falje për gabimin e tij, Senati miratoi një mocion, duke i kërkuar dorëheqjen, por ligjërisht nuk ka fuqinë ta shkarkojë. Ndërsa raportohet se pret një fëmijë nga lidhja e tij romantike me vartësen Vikki Campion, analistët në vend thotë se, zor se do të largohet nga politika me vullnetin e tij.
Skënderbeu, për rrezikun që i kanoset: Nuk është vendim përfundimtar
Pas publikimit të lajmit për rrezikun që i kanoset Skënderbeut me një pezullim 10-vjeçar dhe gjobë prej një milion eurosh, ka reaguar klubi korçar me anë të një deklarate të shpërndarë nga zyra e shtypit përmes rrjetit social “Facebook”. “Klubi i futbollit Skënderbeu dëshiron të informojë opinionin publik se nuk ka aktualisht ndonjë vendim të trupave gjykuese, disiplinore të UEFA-s, për klubin e Skënderbeut. Shpjegojmë se dokumenti i publikuar nuk është aspak vendimi përfundimtar, por kërkesa për gjykim e inspektorëve të Disiplinës së UEFA-s, drejtuar trupës së Apelit, të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës në UEFA”, thonë drejtuesit e klubit të Skënderbeut. “Duam të qartësojmë se ky është një apelim i inspektorëve ndaj vendimit të marrë pothuajse dy vite me parë ndaj Skënderbeut, në bazë të nenit 34(3) të Statutit të UEFA-s, dhe jo një çështje e re kundër klubit. Kjo procedurë është konform nenit 29/3 të Kodit të Disiplinës së UEFA-s. Gjithashtu, ju bëjmë me dije se kemi të bëjmë me një çeshtje disiplinore në proces, për të cilën nuk është caktuar ende një seancë dëgjimore”, vijon më tej reagimi. KF Skënderbeu njofton se është njohur me kohë me këtë akuzë të inspektorëve të Disiplinës. Por, sektori juridik i klubit korçar po ndjek procedurat e nevojshme juridike për çështjen në fjalë, duke shprehur sigurinë që çështja do të mbyllet me sukses.
Rikthehet Europa League; Milani në testin bullgar, Berisha përballë Dortmundit
Mbrëmjen e sotme rikthehet faza e 1/16-ave të Europa Leagues, pas rreth dy muajsh pushim. Gjithçka do të nisë me sfidën e orës 17:00 mes Astanës dhe Sporting të Lisbonës, ndërkohë që në orën 19:00 dhe 21:05 do të luhen ndeshjet e tjera. Në Signal Iduna Park, do të jetë përballja italo-gjermane mes Borussias së Dortmundit dhe Atalantës, me skuadrën e Gasperinit që do të tentojë të bëjë surpriza të tjera, pas mbërritjes deri në këtë fazë. Në orën 19:00 do të luajnë ndeshjet e tyre edhe Milani e Arsenali. Kuqezinjtë e Gattusos do të udhëtojnë drejt Bullgarisë për t’u përballur me Ludogorets, ndërsa Arsenalin e prejt një ndeshje me Ostersund në Suedi. Sfidat e orës 21:05 kanë rezervuar një tjetër përballje italo-gjermane atë mes Napolit dhe Leipzigut. Në San Paolo do të vihen dy skuadra që janë në vendet e para në kampionatet respektive; Napoli është kryesues i Serie A, ndërsa në Bundesligë, Leipzigu është për momentin në vendin e dytë me 18 pikë më pak se Bayerni. Është rikthyer në Europa league Atletico Madrid, një skuadër që përkufizohet edhe si një prej ekipeve me më eksperiencë në këtë aktivitet. Skuadra e Simeones që u rendit e treta në grupin e saj në Ligën e Kampioneve pas Romës e Chelseat dhe si rrjedhojë do të luajë në 1/16 e finaleve të Europa League me Kopenhagen në Danimarkë.
Shkëlzen Berisha në Gjykatën e Krimeve të Rënda
Pas akuzave të ngritura për shpifje nga Shkëlzen Berisha, Taulant Balla dhe djali i ish-kryeministrit Berisha janë përballur sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Akuzat u ngritën lidhur me provat e publikuara për çështjen “CEZ”. Trupa gjykuese ka shpallur moskompetencën duke ia rikthyer Gjykatës së Lartë. Shkëlzen Berisha foli për mediat pas përfundimit të seancës, duke u shprehur se kthimi i çështjes në Gjykatën e Lartë është frikë për të vendosur drejtësi. “Jam këtu për të vendosur drejtësi. Gjykata iu përgjigj kërkesës së prokurorit dhe ia kthen sërish gjykatës së lartë. Kjo është frikë për të vendosur drejtësi. Gjykata e Lartë është institucioni më i lartë dhe një kryeprokuror dhe gjykatës që ka frikë mund të kthejë sërish në gjykatën e Lartë. Balla e ka një damkë si shpifës, dua që të marrë një përgjigje ligjore. CEZ? Kjo është çështje e ndryshme, për të cilën Balla thotë se për tre vite nuk kam paguar asnjë taksë. Unë kam paguar mbi 50 mln lekë taksa. Përsa i përket CEZ është një shashkë dhe kam deklaruar atë që kam deklaruar para jush. Nuk kam lidhje as me privatizimin dhe as CEZ në Shqipëri. Taulant Balla ka thënë që unë nuk kam paguar asnjë taksë, unë dua transparencë, kam dokumente nga tatimet, kam paguar taksa. Balla është i vetmi kryetar grupi që nuk zbaton vendimin e Apelit si shpifës dhe fshihet pas Ramës dhe nuk paguan detyrimin. Nëse ky vend do të kishte prokurori, Balla do të ishte proceduar. Dosja CEZ? Nuk kam pritshmëri, pasi nuk lidhje me privatizimin apo privatizime”, u shpreh Shkëlzen Berisha. Ndërkohë, Taulant Balla i bëri thirrje edhe njëherë Prokurorisë që ta hetojë dosjen “CEZ” me seriozitetin më të madh. “Të gjithë e dimë që kjo është një çështje që duhet hetuar. I bëj thirrje Prokurorisë që ta hetojë këtë dosje me seriozitetin më të madh, të zbatojë vendimin e Gjykatës e Krimeve të Rënda që i ka kërkuar Prokurorisë që të marrë në pyetje të personave si Shkëlzen Berisha, Genc Ruli, Sali Berisha, sikur Nue Nikalaj. I bëj thirrje prokurorisë që ky person të gjendet. Ndoshta komisionit hetimor ju shmang. Ky person duhet gjetur. Ditën për diell ka tërhequr 6.8 mln euro, para të vërtetuara që kanë qenë pagesë komisioni, e thënë shqip pagesë suksesi për një privatizim më i dështuari dhe më i rëndi për shpinën e varfër të shqiptarëve, 414 mln euro dëmi i shkaktuar shqiptarëve. Për sa i përket llokoçitjeve të të birit të babait, se paska punuar me punë të ndershme, një njeri që nuk i ka thënë një herë mirëmëngjesi punës. Një njeri që nuk ka firmosur një herë në një vend pune dhe të vetmet të ardhura i ka deklaruar si komisione merrja këtij dhe çoja këtij. Merrni librin e deklarimit të kontrollit të pasurisë, të vetmen punë me të ardhura marramendëse”, u shpreh Taulant Balla.
MARKU QORTON PROKURORËT E TIRANËS
Për kryeprokuroren Arta Marku rifillimi i çështjeve të vjetra të pezulluara është një fillim i mirë për të rritur besimin e publikut tek organet e drejtësisë. Marku foli në analizën vjetore të Prokurorisë së Tiranës. “Rritje të bashkëpunimit me shërbimet e policisë gjyqësore për të analizuar çështjet e vjetra të pezulluara, kjo me qëllim rifillimin e tyre dhe ndëshkimin e autorëve, si një fillim i mirë për të rritur besimin e publikut tek agjencitë e zbatimit të ligjit dhe organet e drejtësisë”, është shprehur Marku. Ajo kritikoi vartësit e Tiranës për hetime pa cilësi, sporadike e të paorganizuara. “Në dimensionin cilësor rezultojne dukshëm, hetime pa cilësi, sporadike të pa organizuara dhe me mungesë vizioni për t’u fokusuara në prioritetet që ka patur dhe ka prokuroria në luftën kundër krimit. Prokurorët me kurajo dhe guxim duhet të fokusohen tek hetimi i çështjeve me karakter sensitiv dhe impakt ne publik, si korrupsioni në të gjitha fushat dhe nivelet e çfarëdo lloji, abuzimi me pushtetin nga nëpunësit publik, lufta kundër drogës dhe grupeve kriminale që organizojnë dhe financojnë kultivimin, shpërndarjen e drogave në qytetin e Tiranës”, mësohet të ketë thënë Marku. Marku nxiti prokurorët për të filluar hetime kryesisht, duke shfrytëzuar çdo informacion që merret nëpërmjet mediave apo burime të ndryshme informative.
