Ballina Blog Faqe 9534

Kërkoi favore seksuale, jepet dënimi për ish-gjyqtarin Shyqyri Çobo

0

Gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur fajtor ish-gjyqtarin e Beratit Shyqyri Çobo, i akuzuar se ka kërkuar favore seksuale.

Në vendimin e ditës së sotme Çobo u dënua me dy vite burg, i cili do të konvertohet në 18 muaj shërbim prove.

Gjithashtu sipas këtij vendimi, për 5 vite ai nuk mund të mbajë funksione publike.

Ndërkohë Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi ndaj tij dënimin me 3 vite burg, si i akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit” në formën e kërkimit të favoreve seksuale, dënim i cili u ul nga gjykata.

Ish-gjyqtari i Beratit u denoncua nga një grua e cila ishte në proces divorci, se e ka ngacmuar seksualisht përmes mesazheve dhe telefonatave, duke kërkuar lidhje intime.

Fillimisht i ka premtuar se do i gjente një avokat dhe nëpërmjet mesazheve të tij, i ka kërkuar lidhje në mënyrë që procesi gjyqësor të ishte në favor të saj.

Organi i akuzës thotë se Çobo e ka marrë rreth 300 herë në telefon denoncuesen, përveç mesazheve të shumta të dërguara në harkun kohor të tre muajve,

Disa nga mesazhet e dërguara nga ish-gjyqtari

-“Ende s’jam investuar në dobinë tuaj… Ndonëse statura juaj sociale post-martesore për një person që unë disponoj do të jetë ekzigjencë jetësore, kuptohet që të shijosh “triumf…do të flasim!! Ok.

-“Në qartësinë time sundon “Ideja” standarde se fshati xxxx përbëhet nga “komunitete ‘që në aspektin intelektual demonstrojnë DEFICENCË!!! Shtetas të quajtur Y.T. (babai i kallëzueses), për të qenë i sinqertë -Jo, nuk mendoj se e njoh… Gjithsesi, do komunikojmë gjykoj… Si mendon ?/ Ok??”

-“Mirëmbrëma. Ju jeni potencialisht e emancipuar. E kupton se “Miqësia që të njoh progres- kërkohet komunikim dhe jo heshtje, aq më keq druajtje… Mirënjohje!!”

-“Kurani shprehet se “Ndjenja njerëzore më fisnike që Zoti i ka dhuruar njeriut është dashuria”!!”

-“Unë konstatova se “sharmi yt femëror ishte tepër joshës dhe femëror, mos u prezanto me “modesti (thjeshtësi) të tepruar… do më falësh 100 herë, por “modestia “e tepruar është veti e njeriut ‘Naiv’ (budalla)…për atë performancë që ke, duhet të ndjehesh krenare! Ok?

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Vendimi i KQZ, Rroshi ankimon në Kushtetuese heqjen e mandatit

0

Ish-kryebashkiaku i Kavajës Elvis Rroshi ka kundërshtuar heqjen e mandatit të tij nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Avokati i tij, Theodhori Sollaku, sot ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e KQZ për heqjen e mandatit të Rroshit, duke kërkuar rikthimin në detyrë.

Kërkesa ka të bëjë me vendimarrjen e institucioneve që detyruan Këshillin e Ministrave për të shkarkuar kryetarin e Bashkisë, kryesisht nga procedurat e KQZ u spikat momenti që detyrimi i KQZ ka qenë të administronte vendimet e formës së prerë zyrtarisht, dosje, gjë që nuk e ka bërë. Në të kundërt mbrojtja dhe vetë kryetari i Bashkisë ka depozituar aktet zyrtare të autoriteteve të huaja që ai është i padënuar penalisht.

Së dyti kemi kundërshtuar vendimin e Këshillit të Ministrave, një vendim që bie ndesh me parimet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe veçanërisht me Kushtetutën shqiptare. Kemi argumentuar se sanksionet që parashikon ligji për dekriminalizimin janë natyrisht penale dhe si të tilla nuk mund të kenë kurrsesi fuqi prapavepruese”, u shpreh Sollaku.

Mandati i Elvis Rroshit si kryebashkiak i Kavajës u hoq nga KQZ pasi e kapte ligji i Dekriminalizimit.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Shkon në 3 numri i viktimave prej të ftohtit, gjendet i vdekur roja i një pallati në Lushnje

0

Shkon në tre numri i personave të vdekur si pasojë e motit të keq dhe të ftohtit në vendin tonë.

Mëngjesin e sotëm, është gjetur i vdekur roja e një pallati në Lushnje. Kanë qenë familjarët ata që kanë gjetur trupin e pajetë të 51- vjeçarit Bashkim Çepa në vendin e tij të punës.

Dyshohet se viktima kishte ngrirë prej të ftohtit, teksa qëndronte si roje, ndërsa mësohet se ai vuante edhe prej problemeve në zemër.

Policia tha zyrtarisht se, “Më datën 08.01.2017, ora 11:00, në spitalin e Lushnjes, ka shkuar i shoqëruar nga familjarët i vdekur, shtetasi B.Ç, 51 vjeç, banues në fshatin Golem i Vogël. Nga veprimet e kryera, rezultoi se nuk ka patur shenja dhune dhe vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë për vlerësim.”

Ndërkohë ditën e djeshme në Sarandë, po prej të ftohtit ndërroi jetë Leonard Beqiri 54 vjeç, i cili u gjet në një banesë të braktisur.

Mësohet se ai jetonte i vetëm si endacak dhe se nuk kishte familje, ndërkohë që vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të mëtejshme rreth kësaj ngjarje, për shkak se dyshohet që ai të ketë qenë i alkoolizuar. Policia konfirmoi se vdekja e tij ka ndodhur në orën 11:45, në spitalin e Sarandës. 53-vjeçari banues në lagjen nr.1 Sarandë, ishte dërguar në spital nga patrulla e policisë ditën e shtunë.

Ndërkohë gjatë së shtunës u shënua viktima e parë në Durrës, prej të ftohtit. I ndjeri, Arben S., 38 vjeç, banues në Durrës, u gjet i pajetë gjatë së shtunës në lagjen Nr.17 të qytetit bregdetar.

Nga këqyrja e kufomës mësohet nuk janë evidentuar shenja dhune. Pasi është identifikuar në listën e personave pa banesë, 38-vjeçari që njihej në zonë me emrin Beni, është kërkuar gjatë mbrëmjes së të shrunës nga specialistët e zonës dhe shërbimet e rendit për ta sistemuar në ambientet e Policisë, por nuk është mundur të gjendet i gjallë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Bashar Al Assad: Gati të jap dorëheqjen për zgjidhjen e krizës në Siri

0

Presidenti sirian Bashar Al Assad shprehet i gatshëm për të dhënë dorëheqjen me synim zgjidhjen e krizës në Siri.

“Jam gati të jap dorëheqjen për zgjidhjen e krizës, nëse rebelët bien dakord për bisedime”, u shpreh ai.

Në vijim tha se posti i tij është i lidhur me Kushtetutën dhe se dorëheqja duhet të kalojë në referendum popullor.

Komenti i tij u bë për mediat franceze nga Damasku, kryeqytet i Sirisë, ndërsa shtoi se nuk është e qartë se kush do e përfaqësojë opozitën në bisedime.

Assad deklaroi më tej se qeveria e tij është e gatshme të negociojë për çdo gjë gjatë bisedimeve të ardhshme me Astanan dhe Kazakistanin, të ndërmjetësuara nga Turqia e Rusia.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Dogji katër makinat e babait të ish- të dashurit, rrëfimi me detaje i Desarës

0

“Duhej të frikësoja ish-të dashurin dhe familjen e tij, që të qëndronin larg meje”.

Desara Mançellari, 23- vjeçarja që më 1 prill të vitit 2016 u vuri flakën me qëllim katër automjeteve në pronësi të familjes së ish-të dashurit të saj, ka dhënë këtë shpjegim për ngjarjen gjatë pyetjes në prokurori. Dëshmia e plotë e së resë zbardhet në vendimin e arsyetuar të Gjykatës së Tiranës, që më 22 dhjetor 2016 e shpalli fajtore për akuzën e “shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe vendosi një dënim me 2 vjet e 4 muaj heqje lirie.

“Panorama” ka siguruar një kopje të vendimit, ku dalin në dritë rrethanat zjarrvënës së qëllimshme, që është paraprirë nga prishja e raportit dashuror të së pandehurës Mançellari me shtetasin Filip P. Gjatë gjykimit, përmes mbrojtësit, Desara ka pretenduar se ka dashur të djegë vetëm një nga makinat në formë vetëgjyqësie, pasi është keqtrajtuar nga Filip P. dhe babai i tij, me qëllim që të martohej me ish-të dashurin.

Sipas mbrojtjes, në një rast, ajo është mbajtur peng dhe nën presion për disa orë, gjatë së cilave ndaj saj është ushtruar dhunë verbale dhe fizike. Vendimi i Shkallës së Parë është ankimuar në Apel më 27 dhjetor 2016.

Dëshmia e plotë

Ka rreth njëmbëdhjetë muaj që jam njohur me një djalë që quhet Filip P., me të cilin kam qenë e lidhur gjatë të gjithë kësaj kohe në mënyrë intime. Me Filipin jam njohur nga një shoqja ime te lokali që ka në Tiranë. Lidhja me Filipin, i cili është 21 vjeç, ka qenë relativisht e mirë, deri në momentin që filluan pakënaqësitë nga ana e së ëmës së Filipit dhe filluam të takoheshim në kundërshtim me nënën e tij. Situata e lidhjes sime me Filipin filloi të ishte e lodhshme dhe unë vendosa të ndahesha prej tij.

Në lidhje me këtë vendim timin ka qenë jo dakord i ati i Filipit, i cili në disa raste ka ardhur dhe poshtë banesës sime dhe kemi ndenjur në shumë raste dhe deri në orët e para të mëngjesit në lokalin që ndodhet poshtë shtëpisë sime dhe në lokalin e tyre. Në këto raste unë jam tërhequr dhe kam vazhduar lidhjen time me Filipin. Ka rreth një muaj që Filipi ka qenë në Greqi për arsye se do të shkonte ushtar dhe unë kam folur me të që në momentin e ikjes së tij do të shkëputeshim, duke reflektuar për lidhjen tonë. Filipi, pasi mësoi këtë gjë nga unë, ka anuluar të shkuarin ushtar në Greqi, pasi për këtë po përgatitej dhe vendosi që të kthehet në Shqipëri për të qëndruar me mua. Komunikimet në këtë kohë i kishim nëpërmjet telefonit celular deri në momentin që Filipi ka ardhur në Shqipëri.

Sherri dhe kërcënimi

Pasi është kthyer, Filipi më ka takuar dhe në këtë çast jemi konfliktuar. Që nga ky moment, që ka qenë rreth dhjetë ditë më parë, unë kam hequr numrin e telefonit që disponoja, si dhe i kam bërë Filipit bllok në “Facebook”. Rreth katër ditë më parë, ka ardhur rreth orës 12:30 minuta te një lokal afër shtëpisë sime.

Më bindi që të shkoja të takoja Filipin te lokali i tyre, në mënyrë që të gjenim një rrugë komunikimi për t’u kthyer bashkë. Në momentin që kemi hyrë në lokal, kam qenë bashkë me një kushërirën time. Në momentin që kemi hyrë në lokal na janë hequr telefonat celularë të dyjave dhe më pas jemi ulur unë me kushërirën së bashku me të atin e Filipit. Në këtë moment, kur kemi qenë të katërt në tavolinë, babai i tij më ka kërkuar llogari për faktin se unë frekuentoj një lokal ku rri dhe një ish i-dashuri im. Në këtë diskutim unë kam sqaruar faktin se Filipi është në dijeni të lidhjes sime të mëparshme dhe nuk i kam fshehur asgjë. Ky ka qenë çasti kur Filipi është çuar nga tavolina dhe më ka goditur me pëllëmbë. Pasi është qetësuar situata më është treguar një video nga telefoni i K., që ishte një burrë të cilit i futnin letra në gojë. Në vazhdim, K. më ka treguar se videoja kishte qëllim që unë të kuptoja aftësitë e tyre për të bindur njerëzit, shkruan Panorama.

Në lokal kemi ndenjur me kushërirën dhe ata të dy deri në orën 07:00 të mëngjesit të ditës tjetër dhe më pas jemi larguar për në banesë, duke na shoqëruar Filipi me makinën e tij të tipit “Audi”. Më vonë nga Filipi kam mësuar se ishte zënë me të atin, pasi më ka kthyer në shtëpi me makinë mua. Ky ka qenë momenti fundit i komunikimit tim me këta persona.

Plani i “hakmarrjes”

Në lidhje me situatën që përmenda më lart, në mendjen time qëndronte fakti që duhet ta frikësoja familjarisht familjen e Filipit, me qëllimin që të qëndronin larg meje dhe familjes sime në vazhdim. Për të arritur këtë qëllim mendova një ditë më parë që t’i digjja makinën Filipit dhe për këtë gjë kam menduar gjatë gjithë ditës së djeshme.

“Si i vura zjarrin”

Kam dalë në datë 31.03.2016, rreth orës 23:00 të darkës nga banesa ime dhe kam filluar të eci përgjatë rrugës që del te rruga “Bardhyl”. Në vazhdim deri te karburant “K…”, vend ku kam mbushur një shishe me benzinë. Shishen e kam blerë me ujë në një market që ishte përballë me karburantin. Ishte shishe një litër e gjysmë, të cilën e bleva me ujë pasi te karburanti nuk kishin shishe bosh. E kam futur shishen brenda në xhuboksin që kisha veshur, i cili ishte me ngjyrë gri, kapuç dhe mëngë, edhe stampa ngjyrë rozë. E kam mbajtur gjatë gjithë rrugës pa e parë njeri. Sapo jam afruar te banesa e Filipit jam fshehur në krah të pallatit të tij, në një objekt të pandërtuar. Kam pritur rreth njëzet minuta, pasi nuk po shihja makinën që përdor Filipi, që është një “Peugeot” ngjyrë jeshile. Duke pritur, më ka kapur ankthi dhe kam dalë nga mbrapa pallati.

Kam ndaluar në krah të tij, ku për një moment kam parë në drejtim të një kamere, që është në katin e parë në një magazinë që familja e Filipit e ka dhënë me qira. Në vazhdim jam drejtuar për nga makina tjetër e Filipit, që është “Audi”, në ngjyrë të zezë.

Ajo ishte parkuar pranë një ruloti, që i takon po familjes së Filipit. Sapo jam afruar me ngadalë tek “Audi” kam derdhur pak benzinë te fshirëset e xhamit të mjetit dhe më pas me një shkrepëse i kam vënë flakën.

Fshehja e krimit

Pasi mori flakë makina, jam larguar në drejtim të disa rrugicave që ndodhen mbrapa pallatit të Filipit dhe kam shkuar në banesë. Paraprakisht kam hedhur shishen e benzinës në një nga këto rrugica, por që nuk e mbaj mend se ku. Jam kthyer në shtëpi rreth orës 02:00 të mëngjesit, kur të gjithë familjarët ishin në gjumë. Gjatë të gjithë natës nuk kam fjetur dhe vetëm në mëngjes kam rënë të fle.

Përveç xhuboksit që përmenda, kisha veshur dhe një palë tuta ngjyrë gri, si dhe atlete me ngjyrë gri me lule. Sot, rreth kohës së drekës, është afruar edhe policia, e cila pas kontrollit që më bëri në banesë ka gjetur xhuboksin, tutat dhe atlete që përmenda.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Moti i keq, zonat ku ka ende probleme dhe akset rrugore ku duhen përdorur zinxhirë

0

Shërbimi i Emergjencave Civile jep informacion lidhur me situatën e motit në vendin tonë.

Që prej ditës së djeshme reshjet e dëborës janë ndërprerë, por temperaturat kanë qenë tepër të ulëta në të gjithë vendin.

Disa akse rrugore rurale në zona të thella malore nuk ka qenë e mundur të hapen plotësisht. Firmat kontraktore po punojnë me forca dhe mjete në akset rrugore problematike.

Akset nacionale janë plotësisht të qarkullueshme dhe vetëm në disa segmente ka nevojë për përdorimin e zinxhirëve. Punonjësit e emergjencave, Policia e Shtetit dhe gjithë strukturat e angazhuara për përballimin e situatës, gjenden në terren për t’iu gjendur pranë qytetarëve e mjeteve në vështirësi.

Furnizimi me energji elektrike ka qenë gjithashtu me ndërprerje në zonat e thella për shkak të ngricave, ndërkohë grupet e specialistët të OSHEE janë duke punuar për riparimin e defekteve.

Situata paraqitet si më poshtë për çdo qark:

Qarku Kukës

Të gjithë akset kombëtare janë të qarkullueshme pjesërisht me zinxhirë. Firmat kontraktore vazhdojnë të punojnë me mjetet dhe forcat e tyre duke pastruar borën dhe hedhur kripë e skorie në rrugë.

Policia rrugore po mban në monitorim të vazhdueshëm të gjitha akset rrugore.

Rruga e Kombit është e qarkullueshme pa zinxhirë. Për mirëmbajtjen e këtij aksi janë angazhuar 4 borëpastruese.

Në asket rrugore Kukës-Bushtricë, Kukës-Ura e Zapodit dhe Ura e Zapodit-Shishtavec qarkullimi kryhet me zinxhirë. Në këto akse punojnë 3 borëpastruese dhe 3 fadroma.

Aksi Fushë-Dugagjin-Qafë Shllak është e qarkullueshme me zinxhirë deri në qendrën e njësisë administrative Malzi ndërsa pjesa tjetër deri në Qafë Shllak e Qafë Mali është e qarkullueshme me zinxhirë.

Gjithashtu akset rrugore Kukës-Krumë dhe Krumë-Qafë Prushi-Kam janë të qarkullueshme pjesërisht pa zinxhirë

Akset Bajram Curri-Valbonë, Bajram Curri-Qafë Luzhë-Kam dhe Dushaj – Lekbibaj janë të qarkullueshme me zinxhirë ndërsa aksi Bajram Curri-Qafë Morinë është i qarkullueshëm pa zinxhirë.

Akset rrugore rurale të njësive administrative Grykë-Çajë, Kalisë, Arrën, Surroj, Zapod dhe Shishtavec, me fshatrat e tyre vijojnë të jenë të bllokuara nga dëbora.

Rrugët rurale të fshatrave Cahan dhe Mujaj-Dajç ,Brenogë, Domaj, Pogaj, Kishaj, Pusi i Thatë Selimaj, Lekurtaj, Shëngjergj, Peraj, Palcë, Brisë, Gjonpepaj, Curraj i Epërm dhe Myhejan për në qendër të Njësive Administrative janë të bllokuara.

Pa energji elektrike janë Njësitë Administrative Grykë-Çajë ,Arrën, Lekbibaj si dhe fshatrat Çam, Gjinaj, Pogaj dhe Kishaj

Grupet e punës së OSHEE-së po punojnë për të sjellë energjinë elektrike në zonat problematike të qarkut.

Qarku Dibër

Në bashkinë Dibër aksi rural Reç-Lurë dhe Peshkopi-Lurë janë të bllokuar dhe po punohet në secilin prej tyre. Akset e tjera kombëtare janë të qarkullueshme ndërsa firmat kontraktore vazhdojnë të duke pastruar borën dhe hedhur kripë e skorie në rrugë.

Akset rrugore Qafë Bualli-Peshkopi, Skuraj-Burrel, Ura e Qytetit-Zerqan dhe Burrel-Qafë Bualli qarkullimi bëhet pa zinxhirë. Në këto rrugë punojnë 9 borëpastruese.

Ndërkohë akset Peshkopi-Kala e Dodës Muhurr-Draj Reç, Qafë Bualli-Krastë, Burrel-Macukull, Ura e Çerenecit- Steblevë, Ura e Çerenecit-Ostren-Trebisht, Klos-Xibër dhe Klos-Gurrë qarkullimi bëhet me zinxhirë. Në këto akse janë angazhuar 17 borëpastruese.

I gjithë qarku është furnizuar normalisht me energji elektrike

Qarku Shkodër

Akset rrugore kombëtare janë të gjithë të qarkullueshëm, pjesërisht pa dhe me zinxhirë. Situata më problematike paraqitet në akset rurale si Shkodër-Shosh-Breg Lumi, i cili është bllokuar në vendin e quajtur Mali i Shoshit dhe Shkodër-Bogë-Theth i cili është bllokuar në Qafë Thore. Në këto dy akse trashësia e dëborës arrin deri në 1 metër. Për pastrimin e tyre janë angazhuar 3 fadroma dhe një mjet me zinxhirë i ushtrisë.

Ndërkohë në akset Qafë Mali-Fierzë Fush Arrëz-Qafë Shllak dhe Qafë Qelëz-Pukë-Fushë Arrëz janë të qarkullueshme me zinxhirë

Probleme furnizimi me energji elektrike ka në disa fshatra të njësisë administrative Shalë, Shosh, Pult Iballë, Fierzë, Blerim dhe Gjegjan

Grupet e punës së OSHEE-së po punojnë për riparimin e defekteve.

Qarku Lezhë

Aksi rrugor kombëtar Rrëshen-Tuneli i Kalimashit është i qarkullueshëm me zinxhirë në pjesë të veçanta. Firma kontraktore po punon me 7 borëpastruese për të pastruar borën dhe hedhur kripë e skorie në këtë aks rrugor për të siguruar kalueshmërinë e mjeteve.

Aksi rrugor Rrëshen-Burrel është i hapur por në pjesë të caktuara ka vështirësi kalimi si pasojë e ngricave.

Policia rrugore po monitoron qarkullimin e mjeteve në akset rrugore kombëtare të qarkut.

Akset rrugore rurale të njësive administrative Fan, Orosh dhe Selitë, janë hapura nga bora, e cila ka trashësinë nga 30-50 cm.

Në njësinë administrative Fan, Orosh dhe Selitë, mungon pjesërisht energjia elektrike. Grupet e punës së OSHEE po punojnë për të riparuar defektet.

Qarku Elbasan

Akset rrugore kombëtare janë gjithë të qarkullueshëm normalisht nga mjetet.

Aksi rrugor Librazhd-Stëblevë është i qarkullueshëm me zinxhirë pasi ka prezencë ngrice.

I gjithë qarku është furnizuar normalisht me energji elektrike.

Qarku Korçë

Të gjitha akset rrugore kombëtare janë të qarkullueshme pa zinxhirë, me përjashtim të aksit rrugor Pogradec-Lin, në të cilin duhet të përdoren zinxhirët.

Qarku Vlorë

Në Qafën e Llogarasë firma kontraktore ka punuar duke hedhur kripë dhe skorje në aksin rrugor dhe qarkullimi i mjeteve kryhet pa zinxhirë.

Në Qafën e Muzinës nuk kanë rënë reshje bore por ky segment rrugor mbahet në monitorim nga firma kontraktore.

Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen situata emergjente të krijuara nga kushtet e motit.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Vlorë, gjendet një “Fuoristradë” brenda në det

0

Një makinë është gjetur e braktisur brenda në det në Vlorë.

Rreth orës 07:22 të mëngjesit të sotëm, nga shërbimet e policisë është gjetur një automjet në det.

Ngjarja ka ndodhur në zonën ujore të plazhit të vjetër, ku rreth 20-30 metër larg nga bregu i detit është gjetur në ujë një automjet tip “Fuoristradë”.

Automjeti ndodhet brenda në ujë dhe përreth tij nga veprimet paraprak nuk vërehet të ketë ndonjë material të kundraligjshëm.

Në bashkëpunim me Policinë Kufitare, po punohet për nxjerrjen nga uji të këtij mjeti, si dhe për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Përplasja fatale kokë më kokë, këto janë pamjet e aksidentit tragjik në Elbasan

0

Pamjet e aksidentit tragjik të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Elbasan janë vërtetë të frikshme.

Në videon që gjeni më poshtë shihet momenti i përplasjes ballë për ballë mes makinës tip “Ford” me automjetin “BMW”.

Në të shihet se si makina ngjyrë gri e tipit “BMW” ecën në korsinë e vetë, ndërkohë me një shpejtësi të furishme i vjen përballë automjeti tip “Ford”, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e tjetrit.

Më konkretisht mjeti i markës “Ford” me targë AA824BK, është përplasur me makinën e markës “BMW” me targa AA003PF.

Policia e cila shkoi në vendngjarje tha se brenda një prej automjeteve gjendej i bllokuar një person i cili u arrit të nxirret për t’u dërguar në spital.

Drejtuesi i “Ford-it’, Dritan Kalemi, 32 vjeç, banues në Elbasan, humbi jetën, ndërsa në spital gjendet 28-vjeçari K.A., banues në Elbasan, drejtuesi i “BMW-së.

Gjithçka duket se ka ndodhur për shkak të një gabimi të viktimës, çka i mori dhe jetën.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Makina del nga rruga në Divjakë, humb jetën një i ri

0

Një aksident fatal ka ndodhur në Divjakë, me pasojë vdekjen e një të riu.

Rreth orës 01:30 të natës së lënë pas, në aksin rrugor Divjakë- Këmishtaj, në fshatin Mërtish, 22- vjeçari Jovan Rrushi, banues në fshatin Gungas, Divjakë, duke drejtuar mjetin tip Benz me targa AA 567 NM ka humbur kontrollin e tij.

Për pasojë është përplasur me murin e një banese duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Policia po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes, ndërsa dyshohet se aksidenti mund të jetë shkaktuar edhe prej pranisë së akullit në rrugë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

ZBARDHI : Zjarr Televizion – Kembimi Valutor 09 Janar 2017

0

Web: http://zjarr.tv/
Facebook: http://ift.tt/1Nj96ih
Youtube: https://youtube.com/c/ZjarrTelevizion

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx