E enjte, Maj 7, 2026
Ballina Aktualitet Helmohen 56 studentë të Akademisë së Sigurisë, arrestohen kuzhinieri dhe teknologia

Helmohen 56 studentë të Akademisë së Sigurisë, arrestohen kuzhinieri dhe teknologia

0
7

56 kursantë në Akademinë e Policisë në Sauk janë helmuar ditën e djeshme nga ushqimi. Studentët kanë pasur simptoma të rënda, me të vjella dhe dhimbje të forta barku.

Pasi janë paraqitur në spital, kanë marrë mjekim, serume dhe janë kthyer sërish në Akademinë e Sigurisë.

56 studentë të Akademisë së Sigurisë kanë shfaqur probleme shëndetësore, që dyshohet se kanë ardhur si pasojë e helmimit nga ushqimi.

Studentët janë ndjerë keq pas konsumimit të drekës në ambientet e Akademisë, duke shfaqur komplikacione që kanë kërkuar ndërhyrje mjekësore.

Ndërkaq, Policia me anë të një deklarate për mediat jep më shumë detaje në lidhje me helmimin masiv. Sipas efektivëve të kryeqytetit, dyshohet sejanë helmuar në total 56 studentë të Akademisë së Sigurisë.

Në pranga në lidhje me ngjarjen ka rënë kuzhinieri dhe teknologia ushqimore, ndërsa është shpallur në kërkim administratorja e kompanisë së kontraktuar për të ofruar ushqimin.

Të gjithë studentët morën ndihmën e nevojshme mjekësore dhe kanë dalë nga spitali, në gjendje të mirë shëndetësore.     

“Tiranë

Dje, janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së, 56 studentë të Akademisë së Sigurisë, të cilët dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e Akademisë së Sigurisë.    

Të gjithë studentët morën ndihmën e nevojshme mjekësore dhe kanë dalë nga spitali, në gjendje të mirë shëndetësore.     

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për këtë rast: 

-arrestuan në flagrancë shtetasit K. B., 52 vjeç dhe K. P., 23 vjeçe, me detyra respektive kuzhinier dhe teknologe ushqimi në kompaninë e kontraktuar për të ofruar ushqim në Akademinë e Sigurisë; 

-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen R. Ç., 35 vjeçe, me detyrë teknologe ushqimi në këtë kompani;  

-shpallën në kërkim administratoren e kompanisë, shtetasen A. T., 52 vjeçe.

Punohet për kapjen e shtetases A. T., individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të shtetasve të përfshirë në këtë rast. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve””, njofton Policia.

Edhe Ministria e Shëndetësisë ka reaguar për helmimin e studentëve të Akademisë së Sigurisë.

Sipas kësaj ministrie, menjëherë pas paraqitjes në spital të të helmuarve, ekipet mjekësore kanë kryer vlerësimin dhe trajtimin e nevojshëm shëndetësor për çdo rast.

“Shërbimi Infektiv dhe Urgjenca Polivalente në QSUT dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore kanë kaluar menjëherë në gjendje gatishmërie pas marrjes së njoftimit, duke shtuar kapacitetet e stafit në shërbim dhe duke garantuar menjëherë stokun e nevojshëm të barnave.

Po ashtu, të gjithë studentët janë vlerësuar përmes ekzaminimeve laboratorike me qëllim identifikimin e shkakut të helmimit”, thuhet në reagim.

Zjarr Tv Ad