Një person i cili lëvizte me pistoletë dhe thikë me vete, është vënë në prangat e policisë së Tiranës.
Në kuadër të planit masave për kapjen e personave që qarkullojnë me armë pa leje dhe në sajë të bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, efektivët e policisë nr.3, vunë në pranga 56-vjeçarin S. H., banues në Tiranë.
I dyshuari mbrëmjen e kësaj të hëne, kishte hyrë në një lokal në rrugën “Don Bosko”, por u denoncua nga qytetarët të cilët njoftuar në numrin 112, kur kanë konstatuar se ky person mbante një armë zjarri në brez.
Kështu ndërhyrja e uniformave blu, bëri të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të të dyshuarit.
Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti dhe sekuestroi një pistoletë tip TT me krehër dhe 7 fishekë, një thikë dhe një sasi lekësh.
Po ashtu policia ka ushtruar kontroll edhe në banesën e këtij shtetasi, ku ka gjetur dhe sekuestruar edhe 23 fishekë të tjerë luftarakë.
Në ngarkim të 56-vjeçarit hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.



