Kryeministri Edi Rama ka prezantuar ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, pjesë e paketës së re të garancive procedurale në kuadër të reformës në drejtësi.
Kryeministri theksoi se për dënime deri në 3 vjet s’do ketë masë shtrënguese, dhe për vepra deri në 5 vjet s’do caktohen më arreste me burg.
Kreu i qeverisë tha se prokurori s’do ketë mision të gjejë patjetër një fajtor, por të gjejë të vërtetën. Ai u shpreh se nuk mund të thirret një person në dijeni dhe të trajtohet si i dyshuar pa avokat.
“Nuk ka në ato 105 nenë asnjë mballomë alla shqiptarçe dhe asnjë arnë të importuar nga jashtë. Këshilli i Europës e ka kaluar paketën në filtrin e konventës dhe standardeve europiane, duke e vlerësuar si një projekt që rrit transparencën e procesit penal dhe zgjeron të drejtat e mbrojtjes, kjo është për ne garancia më e mirë. Po ndërmarrim një tjetër reformë modernizuese për sistemin e drejtësisë dhe europianizuese për shtetin shqiptar, ku procesi penal duhet të nisë nga zanafilla e lirisë jo nga burgu si zanafillë”, u shpreh kryeministri.
“Për vepra me dënim maksimal deri në 3 vjet nuk do caktohen më masa shtrënguese, për vepra nën 5 vjet s’do të caktohet më arrest me burg. Natyra e rëndë e veprës e marrë më vete, s’do mjaftojë më, as heshtja e personit, as mospranimi i akuzës, nuk mund të përdoren më si provë rrezikshmërie. Rreziku duhet të jetë konkret, aktual, dhe i mbështetur me fakte që lidhen me vet personin. Gjykata duhet të bëjë vlerësim të pavarur, dhe nëse kopjon argumentet e prokurorit, dhe nuk arsyeton pse masat më të buta s’mjaftojnë, vendimi bëhet i pavlefshëm. Sa herë caktohet arresti gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore, me përjashtim të veprave të rënda“, u shpreh ai.
“Avokati s’mund të jetë dekor në sallë dhe spektator gjatë hetimit, duhet të ketë të drejtë të kryejë hetimet e veta, të marrë deklarime. Personi do të ketë akses të pakufizuar te provat që i është hequr liria, dhe do të marrë akses para se çështja të shkojë në gjyq. Prokurori do ketë detyrimin që të hetojë edhe rrethanat që e shfajësojnë personin, sepse s’ka si mision të gjejë patjetër një fajtor, por të gjejë të vërtetën. Nuk mund të thirret një person në dijeni dhe të trajtohet si i dyshuar, pa avokat”, vijoi Rama.






